Grupi bankar austriak Raiffeisen Bank International ka shitur filialin e saj në Bullgari te grupi bankar belg KBC. Sipas informacionit zyrtar të publikuar nga të dy palët, çmimi i shitjes prek vlerën e pak më shumë se një miliardë Eurove. Kjo vlerë përfshin gjithashtu edhe filialet me pronësi të plotë të Raiffeisen Bank Bullgari, Raiffeisen Leasing Bullgari, Raiffeisen Asset Management Bullgari, Raiffeisen Insurance Broker dhe Raiffeisen Service. E shprehur në terma relativë, si price to book value, çmimi i shitjes së Raiffeisen Bullgari përllogaritet sa 1.64 herë e vlerës kontabël të kapitalit të bankës. Ky çmim shitjeje është mjaft i kënaqshëm për rrethanat aktuale në të cilat ndodhen tregjet bankare.
Në dekadën e fundit, shitjet e bankave në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore janë kryer me një raport P/BV më të vogël se 1 ose e thënë ndryshe bankat janë shitur me një çmim më të vogël se kapitali i tyre. Shitja me një çmim relativisht të lartë e Raiffeisen Bullgari i detyrohet performancës së mirë të bankës dhe të filialeve të saj. Raiffeisen Bank zotëron rreth 7.8% të aktiveve të tregut bankar bullgar dhe 8.4% të portofolit total të kredisë. Ajo numëron 122 degë në Bullgari dhe ka afërsisht 635 mijë klientë.
KBC është një grup financiar me qendër në Belgjikë dhe me aktivitet kryesisht në shërbimet bankare dhe ato të sigurimeve. Veç Belgjikës, KBC ka një prani të konsiderueshme në tregjet e Europës Qendrore dhe ato të Azisë Juglindore.
KBC hyri në tregun bullgar në vitin 2016, kur bleu United Bulgarian Bank (UBB) nga grupi bankar grek NBG Bank për 610 milionë euro. Në fund të vitit të kaluar, UBB ishte banka e tretë më e madhe në Bullgari, me 10.2% të totalit të aktiveve. Me blerjen e Raiffeisen Bank, KBC do të bëhet grupi i tretë më madh bankar në Bullgari, me më shumë se 18% të tregut, shumë pranë DSK Bank (bankë e grupit hungarez OTP), që zotëron rreth 18.4%.
Sipas njoftimti zyrtar të Raiffeisen Bank International, operacioni ka si qëllim për të alokuar kapitale shtesë dhe për të shfrytëzuar mundëistë e rritjes në tregje të tjerë.
“Pavarësisht përfitueshmërisë së qëndrueshme dhe biznesit solid të Raiffeisen në Bullgari, vendimi për ta shitur filialin motivohet kryesisht nga mundësia për të rialokuar kapitalin, në mënyrë që të shfrytëzohen mundësitë tërheqëse të rritjes dhe të fitojmë terren në tregjet kryesore ku grupi ynë është i pranishëm,” thuhet në njoftimin zyrtar të RBI.
Përfundimi i transaksionit do t’i nënshtrohet miratimit rregullator dhe pritet të mbyllet deri në mesin e vitit 2022.
Raiffeisen është grupi më i madh bankar në tregjet e Europës Qendrore dhe Lindore, por pas krizës së vitit 2008 grupi vienez po reflekton daljen prej disa prej tregjeve ku është e pranishme dhe shitja e filialit bullgar mund të mos jetë e fundit. Që prej vitit të kaluar, Raiffeisen ka zhvilluar diskutime me grupin bankar hungarez OTP për të shitur edhe filiale të tjera në Europën Lindore, sidomos ato në Ukrainë dhe në Shqipëri. Por, deri tani, këto diskutime nuk janë finalizuar me një marrëveshje.
Raiffeisen hyri në Shqipëri në vitin 2004, kur fitoi garën për privatizimin e Bankës së Kursimeve. Për rreth një dekadë, Raiffeisen ishte banka më e madhe në vend, por pas vitit 2012 u detyrua të reduktonte madhësinë e bankës së saj në Shqipëri, për shkak të rritjes së kërkesave rregullatore për kapital nga rregullatorët e Eurozonës.