Raiffeisen Bank e ka nisur me “këmbën e majtë” vitin 2020. Sipas të dhënave të paauditura të raportuara nga vetë banka, për tremujorin e parë të vitit rezultati financiar neto ishte negativ në vlerën e 176 milionë lekëve.
Performanca e bankës është përkeqësuar ndjeshëm krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, kur realizoi një fitim prej 1.26 miliardë lekësh. I gjithë viti 2019 ishte mbyllur me një fitim neto prej 2.77 miliardë lekësh.
Banka pësoi një rënie të lehtë me rreth 4% të të ardhurave nga interesat dhe një rënie më të ndjeshme, me rreth 15% të të ardhurave nga komisionet. Por, faktori me ndikimin kryesor në rezultatin financiar negative ishte keqësimi i cilësisë së aktiveve dhe rritja e provigjioneve.
Shpenzimet për provigjione në tremujorin e parë arritën në 912 milionë lekë, ndërsa një vit më parë ky zë kishte qenë pozitiv (me rimarrje neto) në vlerën e 330 milionë lekëve.
Raiffeisen Bank ngelet banka e dytë më e madhe në Shqipëri, me një total aktivesh prej rreth 237 miliardë lekësh. Madhësia e bankës është rritur me rreth 4% me bazë vjetore. Zmadhimi i Raiffeisen është mbështetur kryesisht nga një zgjerim i ndjeshëm i portofolit të kredisë, me një rritje vjetore të portofolit prej pothuajse 7%.
Megjithatë, kjo rritje mund të jetë ndikuar statistikisht nga mbiçmimi i euros në ditët e fundit të muajit mars. Duke qenë se raportimi financiar bëhet në lekë, vlera e portofolit në valutë është fryrë ndjeshëm nga nënçmimi i monedhës vendase.
Në ditën e fundit të muajit mars, euro këmbehej me 130.66 lekë, ndërsa gjatë muajit prill u rikthye gradualisht pranë vlerave të mëparshme.