27 Janar

0 komente

Rafineria e Ballshit e mbyllur, edhe Tosk Energji drejt dështimit. E ardhmja është në dorë të Gunvor.

Autor Ersuin Shehu

27 Janar, 2020


Rafineria e naftës në Ballsh ka hyrë në krizën e radhës, ndërsa edhe kompania që e operon aktualisht duket drejt dështimit. Puna në rafineri është ndërprerë prej muajsh dhe punëtorët protestuan sërish ditën e hënë në Fier, duke kërkuar rifillimin e punës dhe shlyerjen e pagave. Ata shprehen se nuk janë paguar prej katër muajsh.

Gjendja e kompanisë që menaxhon Rafinerinë e Ballshit, Tosk Energji, duket e pashpresë që prej fundit të vitit të kaluar. Që nga tetori 2019, organet tatimore kanë vendosur masën e sigurimit tatimor mbi pasuritë e kësaj shoqërie, për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve fiskale.

Mbyllja e rafinerisë dhe të dhënat e deritanishme financiare tregojnë se Tosk Energji mund të jetë në pamundësi financiare për të vijuar më tej aktivitetin. Të dhënat financiare të vitit 2019 nuk janë ende të disponueshme, ndërsa viti 2018 ishte mbyllur me humbje të rënda, në vlerën e më shumë se 1 miliard lekëve. Një humbje e tillë ishte e vështirë për t’u absorbuar nga një kompani me kapital aksioner prej vetëm 3.5 milionë lekësh.

Pa një rritje kapitali, kolapsi gjatë vitit 2019 ishte i pritshëm dhe duket se kështu ka ndodhur. Aksioner i vetëm i Tosk Energji është CFD Conseils Sarl., kompani e regjistruar në Zvicër dhe e menaxhuar nga një ish-drejtor i kompanisë Armo, Christophe Darbord.

Tosk Energji e pati financuar aktivitetin e saj përmes një kredie prej rreth 15 milionë eurosh nga gjigandi i tregtimit të produkteve energjetike, Gunvor. Për garantimin e kësaj kredie, Gunvor ka vendosur barrë siguruese mbi aksionet e Tosk Energji.

Praktikisht, nga momenti që Tosk nuk është në gjendje të paguajë kredinë, Gunvor ka të drejtë të marrë në pronësi aksionet e kompanisë ose t’i nxjerrë ato në shitje për blerës të interesuar.

Deri tani, Gunvor nuk e ka ushtruar zyrtarisht këtë të drejtë dhe nuk është e qartë nëse ka ndërmend ta riposedojë kompaninë, duke e marrë në mënyrë të tërthortë ajo përsipër operimin e rafinerisë së Ballshit. Gunvor është një ndër kompanitë më të mëdha në Botë për tregtimin e produkteve energjetike dhe zotërohet nga biznesmeni suedez ‎Torbjörn Törnqvist.

Edhe Tosk Energji, ashtu si kompanitë që e kanë menaxhuar rafinerinë e Ballshit para saj, ka vuajtur pamundësinë për t’u furnizuar me lëndë të parë në sasinë e mjaftueshme. Kjo është bërë objekt debatesh të vazhdueshme me kompaninë kryesore të nxjerrjes së naftës në vend, Bankers Petroleum.

Nga ana e saj, Bankers ka pretenduar se arsyeja e vetme pse Tosk Energji nuk furnizohet mjaftueshëm me naftë është moskorrektësia në pagesa. Për këtë çështje, Tosk Energji u ankua edhe në Autoritetin e Konkurrencës, në fund të vitit 2018.

Autoriteti i Konkurrencës i dha të drejtë, duke i kërkuar Bankers të zbatonte kontratën e nënshkruar mes palëve për vitin 2018 dhe të siguronte furnizim të mjaftueshëm me naftë për Rafinerinë e Ballshit. Megjithatë, vendimi i Autoritetit të Konkurrencës nuk përcaktonte detyrime për marrëdhënie të ardhshme tregtare mes dy kompanive, pas përfundimit të kontratës së mësipërme.

Pamundësia financiare e Tosk Energji ka sjellë ndërprerjen e furnizimit me naftë bruto dhe paralizimin e punës në Rafinerinë e Ballshit.

Tosk Energji e shfrytëzon Rafinerinë e Ballshit prej vitit 2017, përmes një kontrate qiraje me kompaninë pronare, Allum Enterprises. Allum Enterprises kontrollohet nga një kompani guackë e regjistruar në Zvicër, nën emrin Mercado Exterior.

 Nuk dihet me saktësi se kush qëndron pas kësaj kompanie, por i vetmi personazh në strukturat drejtuese të kompanisë me background domethënës si sipërmarrës është një shtetas azer i quajtur Yusif Ayybov.

Ai është vëllai i zëvendëskryeministrit të Azerbajaxhanit, Yaqub Eyybov, dhe prej vitesh jeton në Kroaci, ku zotëron një kompani të quajtur Montevideo, me aktivitet kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes