Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka rinovuar zyrtarisht autorizimin e kompanisë Albtelecom për përdorimin e frekuencave në brezat 900 Mhz dhe 1800 Mhz. Albtelecom do të paguajë 10.9 milionë euro për rinovimin e autorizimit, shumë kjo e njëjtë me atë të paguar më parë nga dy operatorët e tjerë, Telekom Albania dhe Vodafone Albania. Ndërkohë, qeveria ka refuzuar përfundimisht propozimin e Albtelecom për ta paguar rinovimin e autorizimit me këste përgjatë pesë viteve.
I vetmi “lëshim” që kanë pranuar ministret Balluku dhe Denaj është pagesa me dy këste brenda gjashtë muajve. Por, në fakt, një marrëveshje e tillë ishte arritur edhe me Telekom Albania, në kohën e rinovimit të autorizimit për të drejtat e përdorimit në të njëjtat frekuenca.
Albtelecom ka paguar këstin e parë prej 50% të shumës totale më datë 31 tetor, ndërsa kësti i dytë duhet paguar brenda datës 31 mars 2020. Por, për këstin e dytë Albtelecom duhet t’i paguajë qeverisë shqiptare edhe interesa, që do të llogariten me yield-in mesatar të ponderuar të bonove të thesarit 6-mujore, në datën më të afërt para pagesës së këstit të parë. Ankandi i fundit për instrumentet e borxhit me maturim 6-mujor është zhvilluar në muajin gusht dhe yield-i mesatar i ponderuar ishte 1.48%.
Procesi i rinovimit të autorizimeve individuale bazohet në një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2014. VKM-ja në fjalë parashikon që çmimi dhe kushtet e pagesës së rinovimit të autorizimeve janë të negociueshme mes palëve. Ligjërisht, nuk ekzistonin pengesa që Albtelecom t’i mundësohej pagesa me këste, për të lehtësuar pozicionin financiar të kompanisë, që prej një dekade operon me humbje.
Por, gropa e krijuar në buxhet nga një realizim të ardhurash më i ulët se parashikimet e ka ulur edhe më shumë gatshmërinë e qeverisë për të negociuar në këtë pikë. Gjithashtu, mund të supozohet se qeveria nuk ka dashur të krijojë një precedent që do të justifikonte kërkesa të këtij lloji edhe në të ardhmen.
Procesi i rinovimit të autorizimeve GSM ka qenë i shumëdebatuar qysh në fillim. Albtelecom ka argumentuar që realisht po i shfrytëzon frekuencat vetëm prej vitit 2008, kur nisi aktivitetin operatori Eagle Mobile. Ofrimi i shërbimeve ishte i lidhur me procedurat e privatizimit, të cilat u zvarritën pas ndryshimit të pushtetit, në vitin 2005.
Qeveria e djathtë e pezulloi shitjen te grupi Çalik, derisa ky i fundit përfshiu në konsorciumin blerës edhe kompanitë Turkcell, si investitor i specializuar.
Për këtë arsye, Albtelecom pati kërkuar shtyrjen e afatit të vlefshmërisë me 4 vjet për frekuencat e brezit 900 MHz dhe me 5 vjet afatin e vlefshmërisë për frekuencat e brezit 1800 MHz. Por, AKEP dhe qeveria e refuzuan këtë argumentim, ndërsa së fundmi nuk krijuan as mundësinë për të paguar me këste rinovimin.
Politikat e ndjekura në tregun e komunikimeve celulare po rrezikojnë mbijetesën e operatorëve më të vegjël. Në fund të vitit 2017, Plus Communication u detyrua të ndërpresë aktivitetin dhe të dalë nga tregu. Dy operatorët e tjerë, Telekom Albania (që këtë vit ndryshoi pronarë) dhe Albtelecom janë me humbje. Nëse tregu celular do të humbiste edhe një operator tjetër, kjo do të dëmtonte rëndë konkurrencën dhe interesin publik.