Ulja e normës bazë të interesit është reflektuar menjëherë në rënien e normave të interesit të instrumenteve të huamarrjes afatshkurtër të qeverisë shqiptare. Në ankandin e ditës së martë, qeveria shqiptare shiti bono 12 mujore në vlerën e 10.7 miliardë lekëve.
Yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 1.94%, nga 2.05% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Në ankand u paraqitën kërkesa për blerje me një vlerë totale prej 12.3 miliardë lekësh, çka tregon se, për momentin, tregu financiar disponon likuiditet të mjaftueshëm për t’ju përgjigjur nevojave për financim afatshkurtër të qeverisë.
Ky është një faktor thelbësor në kushtet kur ekonomia po përballet me një krizë të rëndë, që ka imponuar një rritje të paparashikuar të shpenzimeve publike dhe deficitit buxhetor.
Sipas aktit normativ të miratuar nga qeveria më datë 21 mars, deficiti buxhetor do të arrijë këtë vit në 68.7 miliardë lekë, në rritje me 73% krahasuar me deficitin e parashikuar në buxhetin e miratuar në fund të vitit 2019. Në vlerë, janë rreth 29 miliardë lekë deficit më shumë se parashikimet, që duhet të sigurohen nëpërmjet huamarrjes.
Megjithatë, qeveria ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e huasë do të sigurohet në tregun e jashtëm, përmes emetimit të një eurobondi të ri. Emetimi i eurobondit ishte parashikuar qysh në buxhetin fillestar, por për shkak të situatës së krijuar shuma e huasë mund të jetë më e lartë nga sa ishte menduar.
Zgjedhja e eurobondit do të ulë presionin mbi tregun e brendshëm, megjithëse ai ngelet mjaft likuid. Raporti mes kredive dhe depozitave për sektorin bankar aktualisht është rreth 55%, ndërsa kriza ekonomike pritet të ndikojë në uljen e kërkesës për kredi nga sektori privat. Kjo mund të bëjë që sistemi bankar të investojë më shumë në tituj të huamarrjes publike.
Më datë 25 mars, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në minimumin e ri historik prej 0.5%, ndërsa interesi i kredisë njëditore u ul në 0.9%.