31 Dhjetor

0 komente

Qeveria shqiptare do të rrisë borxhin në valutë të huaj

Autor Ersuin Shehu

31 Dhjetor, 2019


Qeveria shqiptare pritet të rrisë borxhin në valutë të huaj gjatë viteve në vazhdim. Mbështetur në strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit, deri në vitin 2022, borxhi në valutë mund të arrijë deri në 55% të totalit të borxhit publik, nga rreth 47% që përbën aktualisht.

Tregu i jashtëm ofron burime më të diversifikuara financimi, si edhe norma mjaft të favorshme interesi, siç u provua edhe nga eurobondi i tetorit 2018. Ndaj qeveria shqiptare po mendon të rrisë huamarrjen në valutë, si një alternativë e mirë për të ulur presionin mbi tregun e brendshëm, për të siguruar valutën e nevojshme për të shërbyer borxhin e huaj, si edhe për të reduktuar kostot e huamarrjes.

Megjithatë, rreziku kryesor i lidhur me huamarrjen në monedhë të huaj është ai i lidhur me kursin e këmbimit. Një nënçmim i monedhës vendase do të rriste koston e shërbimit të boxhit për qeverinë shqiptare.

Ministria e Financave vlerëson se potenciali i tregut financiar vendas mundëson një rritje të huamarrjes së brendshme me 20 deri në 25 miliardë lekë në vit. Një rritje përtej këtyre shifrave do të ushtronte presion për rritje të interesave dhe mund të sillte një mbikonsumim të burimeve të brendshme, në dëm të huadhënies për sektorin privat të ekonomisë. Për këtë vit, vlerësohet që huamarrja e brendshme neto të jetë rreth 23 miliardë lekë.

Gjithashtu, Ministria e Financave vlerëson se sektori bankar, që është edhe financuesi kryesor i borxhit të brendshëm, do të tentojë më së shumti të orientohet drejt bonove të thesarit dhe titujve afatmesëm, për shkak të orientimit të bankave mëma, si dhe në kuadër të kufizimeve lidhur me raportet e likuiditetit, barrën e kapitalit dhe ekspozimin ndaj borxhit sovran.

Interesi më i madh për titujt afatshkurtër mund të vështirësojë qëllimin e qeverisë shqiptare për të vijuar me zgjatjen e maturitetit mesatar të borxhit, me qëllim uljen e rrezikut të rifinancimit.

Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, në fund të 9-mujorit borxhi publik zbriti në 65.1% të Prodhimit Kombëtar, nga 67.2% që ishte në fund të vitit të kaluar. Programi buxhetor afatmesëm synon një ulje graduale borxhit në 59.5% të PBB-së në fund të vitit 2022.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes