Qeveria parashikon një rritje të punësimit në ekonominë shqiptare me 2.4% në vit përgjatë tre viteve të ardhshme. Sipas projeksioneve të planit buxhetor afatmesëm, kjo do të përkthehej në një rritje të numrit të të punësuarve me rreth 30 mijë individë për këtë vit.
Qeveria parashikon të shpenzojë rreth 50 milionë euro në vit në programe për nxitjen e punësimit dhe për arsimin dhe formimin profesional.
Instat përllogarit se numri total i të punësuarve në ekonominë shqiptare në fund të shtatorit 2019 ishte rreth 1.27 milionë. Në harkun e katër viteve të fundit, statistikat zyrtare raportojnë rreth 200 mijë të punësuar më shumë në Shqipëri, me një rritje mesatare prej më shumë se 4.5% në vit.
Vlerësohet se rritja e punësimit është mbështetur nga ritmet më të larta të rritjes ekonomike, por në një masë të konsiderueshme edhe nga projektet e investimeve të huaja direkte, nga rritja e sektorit të turizmit, por edhe nga zgjerimi i eksportit të shërbimeve të punës.
Shkalla e papunësisë raportohet në nivelet më të ulëta të periudhës postkomuniste, në nivelin 11.4%.
Por, mes më të rinjve papunësia ngelet ende e lartë, me 10 pikë përqindje më shumë në raport me shkallën mesatare të papunësisë në ekonomi. Qeveria shqiptare synon që ky hendek të përgjysmohet, nëpërmjet mbështetjes së programeve ‘start up’, përmirësimit të formimit profesional dhe korsive preferenciale në tregun e punës për më të rinjtë.