14 Mars

0 komente

Qeveria duhet të “hapë thesin” për të shpëtuar ekonominë. “Ngrirja e kredive”, demagogji në kurriz të bankave.

Autor Ersuin Shehu

14 Mars, 2020


Të enjten, qeveria me mbështetjen e Bankës së Shqipërisë, shpalli shtyrjen e kredive për tre muaj si një nga masat e para për të lehtësuar ekonominë nga pasojat e bllokimit për shkak të Covid 19.

Në fakt, deklaratat e Guvernatorit Sejko për “ngrirje të kredive”, nuk mbështeten në ndonjë akt zyrtar të publikuar apo qoftë edhe të cituar nga banka qendrore.

Ajo që bëri Banka e Shqipërisë ishte heqja e detyrimit që bankat të krijojnë fonde rezerve për kreditë që do të ristrukturohen në këta tre muaj. Kjo masë sigurisht që nuk i detyron bankat t’i pezullojnë këstet e kredive dhe as nuk i çliron automatikisht kredimarrësit nga detyrimi për të paguar këta tre muaj.

Për më tepër, Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të pezulluar pagesat e kredive të dhëna nga sektori financiar, qoftë edhe përkohësisht.

Pritet që javën e ardhshme bankat të qartësojnë procedurat që duhen ndjekur, por besohet se çdo shtyrje duhet të bëhet me kërkesë të secilit klient dhe me amendim të kontratave ekzistuese.

Çështja tjetër që duhet sqaruar është nëse qytetarët do të paguajnë interesa për këta tre muaj kur, eventualisht, do t’u pezullohet pagesa e kësteve.

Sigurisht që bankat janë të interesuara të mbështesin klientët në vështirësi nga situata, edhe për të shmangur krijimin e kredive të reja me probleme. Por, bërja e “ngrirjes së kredive” si fakt të kryer për të gjithë, pavarësisht nga situata financiare, mund të dëmtojë rëndë interesin e sistemit bankar dhe të kompromentojë perspektivat e kreditimit të ekonomisë.

Një masë e tillë do të kishte kosto shumë të madhe për bankat, në nivelin e dhjetëra milionë eurove. Të ardhurat e bankave nga interesat janë mesatarisht rreth 100 milionë euro për çdo tremujor, ku pjesa më e madhe vijnë nga interesat e kredive të sektorit privat.

Nëse pagesa e interesave do të pezullohet për tre muaj, bankat do të kishin një efekt në bilancin e këtij viti prej dhjetëra milionë eurosh të ardhura të munguara. Nga ana tjetër, bankat duhet të vazhdojnë të paguajnë për interesat e depozitave dhe linjave të financimit.

A mund të ngarkohen bankat me një kosto të tillë, në një kohë kur qeveria vetë nuk po vendos të shpenzojë asnjë qindarkë për të mbështetur ekonominë?

Moratoriumi i pagesës së kredive u hodh në tryezë duke ndjekur modelin italian, por duke injoruar dy detaje. E para, nisma në Itali u ndërmorr nga vetë Shoqata e Bankave dhe, fillimisht, orientohet te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ajo iu mundëson atyre shtyrjen e kësteve, por jo faljen e interesave.

Për sa i takon kredive të individëve, ato do të jenë subjekt i një dekreti të posaçëm qeveritar, që synon të lehtësojë ristrukturimin e tyre, përfshi dhënien e garancisë nga qeveria për to.

Sidoqoftë, paketa e masave po diskutohet në bashkëpunim me sektorin bankar dhe jo si një moratorium i detyrueshëm, ku qeveria apo banka qendrore mund të vendosin se askush nuk do të paguajë kreditë.

Ndryshimi më i rëndësishëm me Italinë deri tani është se atje qeveria ka vendosur të shpenzojë pothuajse 15 miliardë euro në subvencione dhe ndihma për ndërmarrjet private dhe familjet.

Ndërkohë, në Shqipëri, deri tani qeveria nuk ka vendosur të japë as edhe një qindarkë, por nga ana tjetër mburret se ka ngrirë pagesat e kredive, në kurriz të bankave.

Bllokimi i ekonomisë nga Covid 19 mund të sjellë pasoja dramatike për mijëra biznese dhe familje. Deri tani, është vendosur mbyllja deri në 3 prill për baret, restorantet dhe disa bizneseve të tjera të shërbimeve.

Bizneset e lidhura me transportin kombëtar dhe ndërkombëtar janë gjithashtu të paralizuar. Ndikimi në sipërmarrjet e lidhur me turizmin pritet të jetë shumë i rëndë. Kjo situatë do të godasë dhjetëra mijëra ekonomi familjare.

Mbështetur në të dhënat e Instat, vetëm sektori i hoteleve dhe restoranteve përfshin 19 mijë ndërmarrje dhe rreth 56 mijë persona të punësuar.

Në total, tregtia dhe shërbimet përfshijnë rreth 94 mijë ndërmarrje dhe afërsisht 331 mijë të punësuar. Shumica jane biznese të vegjël, të prekur direkt nga masat e kësaj jave që detyrojnë mbylljen e bizneseve ose kufizojnë në mënyrë drastike aktivitetin e tyre.

Do të jetë e vështirë që sektori privat ta kalojë këtë krizë pa mbështetje me subvencione ose lehtësi fiskale. Për të përballuar krizën nuk mjafton marifeti i ngrirjes së kredive, që tenton t’ua kalojë përkohësisht faturën bankave.

Qeveria duhet të “hapë thesin” dhe, sa më shpejt, aq më mirë. Me e pakta që mund të bëhet është përjashtimi nga taksat dhe tatimet për sektorët e prekur nga kjo situatë, por, me siguri vetëm kjo nuk do të mjaftojë. Në mënyrë që kjo situatë të kalojë pa pasoja të rënda, do të nevojitet mbështetje buxhetore direkte.

Vendi dhe ekonomia nuk ndodhen në një situatë normale, ndaj rritja e deficitit dhe borxhit për të evituar dëme më të rënda afatgjata nuk mund të jenë tabu.

Në këto kushte, një pjesë e investimeve publike që nuk kanë natyrë urgjente mund të zhvendosen shumë mirë drejt një fondi për të mbështetur bizneset dhe familjet të tejkalojnë pasojat e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, që pritet t’i shtrijë efektet të paktën për disa muaj me radhë.

Mbyllja e bizneseve dhe humbja në masë e vendeve të punës duhet të shmangen me çdo kusht.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes