6 Gusht

0 komente

Qershor, kredia e re arriti në 26 mld lekë. 80% më shumë se mesatarja e 5-mujorit.

Autor Ersuin Shehu

6 Gusht, 2020

kryesore

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi sërish në mbledhjen e muajit gusht rolin e sistemit bankar në përballimin e krizës së Covid-19. Guvernatori, Gent Sejko, tha të mërkurën se bankat jo vetëm morën përsipër koston e një shtyrjeje 6-mujore të kredive, por edhe kanë vazhduar kreditimin me ritme të kënaqshme.

Sejko tha se rritja e kredisë arriti nivelin vjetor prej 7% në fund të muajit qershor. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në mesin e këtij viti, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 590 miliardë lekëve.

Edhe statistikat e kredisë së re tregojnë një rritje të fortë për muajin qershor. Vlera e kredive të reja të disbursuara arriti vlerën e pothuajse 26 miliardë lekëve, nga rreth 14.5 miliardë lekë që kishte qenë mesatarja mujore për pesë muajt e mëparshëm.

Kredia e re për qershorin është madje më e lartë edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me afërsisht 1.5 miliardë lekë më shumë.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Statistikat tregojnë një rritje të fortë krahasuar me muajt e mëparshëm sidomos tek bizneset. Nga 8.7 miliardë lekë për majin, gjatë qershori kredia e re për biznesin arriti në 21.2 miliardë lekë. Rritja mjaft e lartë e qershorit me shumë të ngjarë përfshin edhe efektin e një kërkese të akumuluar nga periudha tremujore e mbylljes së ekonomisë. Gjithashtu, besohet se një ndikim të pjesshëm mund të ketë dhënë skema e dytë e garancisë sovrane të qeverisë për mbështetjen e bizneseve me likuiditet.

Ndërkohë, në segmentin e individëve kreditimi është më i qëndrueshëm, me luhatje më të vogla mujore. Sidoqoftë, edhe në këtë segment gjatë qershorit rritja ishte e ndjeshme, me një vlerë kredie të re prej 4.7 miliardë lekësh, nga 3.7 miliardë lekë që kishte qenë mesatarja e pesë mujave të parë të vitit.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u shpreh të mërkurën se vazhdimi i kësaj qasjeje pozitive të sektorit bankar ndaj kredisë do të jetë kusht i rëndësishëm për të garantuar ringritjen e shpejtë të ekonomisë pas krizës së Covid-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes