20 Dhjetor

0 komente

Prodhuesi gjerman i armatimeve, Rheinmetall blen 25% të aksioneve në 4iG, pronaren e re të Albtelecom

Autor editor

20 Dhjetor, 2021

kryesore

Ndërmarrja gjermane e prodhimit të armëve Rheinmetall ka nënshkruar një letër qëllimi (letter of intent) për të blerë 25.1% të aksioneve në ofruesin hungarez të shërbimeve dixhitale 4iG.

Blerja është pjesë e strategjisë së dixhitalizimit të Rheinmetall dhe shënon hapin e parë për kompaninë në krijimin e një qendre të teknologjisë së informacionit (IT) dhe telekomunikacionit në Evropën Qendrore. Operacioni do të kryhet pjesërisht nëpërmjet blerjes së një pakete të aksioneve dhe pjesërisht nëpërmjet nënshkrimit të aksioneve të reja, për të garantuar rritjen e kapitalit të shoqërisë.

Sidoqoftë, edhe pas këtij transaksioni, pronar i 4iG do të ngelet biznesmeni hungarez, Gellért Jászai. Me blerjen e aksioneve, 4iG do të bëhet partneri strategjik i IT i Rheinmetall dhe do të mbështesë hyrjen e kompanisë që e ka origjinën nga sektori i prodhimit dhe tregtimit të armëve në tregje të reja dixhitale.

Qëllimi i themeluesve është që 4iG t’i shërbejë nevojave komplekse IT të operacioneve të mbrojtjes hungareze të Rheinmetall dhe më gjerë të marrë pjesë gjithashtu në zhvillimin e zgjidhjeve të TI-së ushtarake dhe të mbrojtjes. Prandaj, sipërmarrja e përbashkët e IT mund të jetë ofruesi i shërbimeve IT në një investim të madh të përbashkët mes Rheinmetall dhe shtetit hungarez, në një prej fabrikave më moderne të automjeteve luftarake në botë. Fabrika në fjalë pritet të ndërtohet në Zalaegerszeg të Hungarisë, në vitin 2023.

Në vitet e para, partneriteti do të mbulojë Hungarinë dhe interesat Rheinmetall në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ndërsa më tej palët do t’i shtrijnë gradualisht operacionet në të gjithë rrjetin ndërkombëtar të Rheinmetall. Bashkëpunimi mbështet në masë të madhe strategjinë e rritjes së 4iG, e cila synon të sjellë kompaninë në tregjet ndërkombëtare përveç segmentit të telekomunikacionit me shërbimet e saj IT.

Presidenti dhe kryetari i bordit ekzekutiv të 4iG Gellért Jászai tha se marrëveshja me Rheinmetall mbështet vizionin e kompanisë për zgjerimin ndërkombëtar në sektorin e teknologjisë. Rheinmetall planifikon të krijojë një sipërmarrje të veçantë të përbashkët, me Rheinmetall që do të zotërojë 51% të aksioneve dhe 4iG, që do të zotëron pjesën e mbetur prej 49%.

 “Pjesëmarrja jonë në 4iG është një pjesë integrale e strategjisë së dixhitalizimit të Rheinmetall. Por, është gjithashtu një shenjë e angazhimit tonë të veçantë ndaj Hungarisë,” tha shefi ekzekutiv i Rheinmetall, Armin Papperger.

Në fillim të këtij muaji, 4iG njftoi arritjen e një marrëveshjeje për blerjen e operatorit më të madh të shërbimeve fikse të komunikimit në Shqipëri, Albtelecom. Albtelecom ishte operacioni i fundit në radhën e blerjeve të rëndësishem që 4iG ka kryer në vitet e fundit. Këtu përfshihen operatori satelitor izraelit, SpaceCom apo operatori më i madh celular në mal të Zi, Telenor Montenegro.

Në mbështetje të strategjisë ambicioze të zgjerimit në tregjet ndërkombëtare, së shpejti 4iG pritet të kryejë një rritje të madhe kapitali prej 120 miliardë forintash hungareze, ose gati 330 milionë eurosh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes