Ecuria e kreditimit dha shenja të gjallërimit në muajin prill. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e kredive të reja të dhëna për bizneset dhe individët ishte rreth 16.5 miliardë lekë.
Krahasuar me një vit më parë, shuma e kredisë së disbursuar për sektorin privat regjistron një rënie me rreth 15%. Por, krahasuar me muajin mars, kur shpërtheu epidemia e Covid – 19, shifrat janë në përmirësim të ndjeshëm. Për marsin vlera e kredisë së re kishte qenë vetëm 11.3 miliardë lekë, çka tregon se gjatë prillit huadhënia është rritur me 46%.
Mbyllja e ekonomisë që nga mesi i muajit mars e paralizoi aktivitetin kreditues dhe për shumë javë fokusi i bankave ishte kryesisht në administrimin e procesit të shtyrjes së kredive. Megjithatë, shifrat tregojnë se gjatë prillit numrat kanë filluar të lëvizin. Besohet se, të paktën në kreditimin e ndërmarrjeve, një ndikim ka dhënë edhe skema e parë garancisë sovrane për pagat e punonjësve.
Ministrja Denaj tha të dielën se shuma e e disbursuar nga bankat në kuadrin e skemës së parë ka arritur në rreth 5.9 miliardë lekë. Kjo skemë u përshpejtua sidomos gjatë muajit maj, pasi qeveria mori përsipër të subvenciononte normat e interesit. Ndaj, ka të ngjarë që shifrat e kredisë së re për majin të jenë në rritje të mëtejshme nga prilli.
Ndikimi real i krizës në sektorin bankar ngelet ende i paqartë, por goditja që mori ekonomia pritet të reflektohet gradualisht në sistem, me rritje të kredive me probleme dhe ulje të kërkesës për hua. Masat e përkohshme të vendosura nga Banka e Shqipërisë për ngrirjen e provigjinimeve dhe riklasifikimeve të kredive mundësuan shtyrjen e një portofoli prej rreth dy miliardë eurosh.