21 Shkurt

0 komente

Politika monetare në pikë kthese? Banka e Shqipërisë po shqyrton zyrtarisht masa jokonvencionale.

Autor Ersuin Shehu

21 Shkurt, 2020


Banka e Shqipërisë po shqyrton zyrtarisht mundësinë e përdorimit të  instrumenteve të reja të politikës monetare, apo të ashtuquajturat masa jokonvencionale. Në strategjinë afatmesme të zhvillimit 2020-2022, Banka qendrore parashikon të vlerësojë efektivitetin e gamës së instrumenteve në dispozicion, përfshirë edhe të atyre që klasifikohen jokonvencionale, me synim përdorimin e tyre për arritjen e objektivit të inflacionit, në rast nevoje.

Sipas strategjisë, ambienti ku vepron banka qendrore ka pësuar ndryshime, të cilat kërkojnë rritje të fleksibilitetit të operacioneve të saj. Ndaj, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e fleksibilitetit në përdorimin e instrumenteve mundëson adresimin e sfidave të reja me përqasjet e duhura, duke ndihmuar në funksion të përmbushjes së objektivave të politikës monetare.

Shqipëria, ashtu si shumica e ekonomive europiane, po kalon një cikël të gjatë inflacioni të ulët, që ka vendosur në sprovë Bankat Qendrore, të cilat kanë si objektiv kryesor pikërisht sigurimin e një rritjeje të shëndetshme të çmimeve.

Pasi instrumentet e zakonshme të përdorura nga këto banka nuk dhanë rezultatet e shpresuara, disa prej bankave qendrore adoptuan instrumente të reja ose jokonvencionale. Forma më e njohur është i ashtuquajturi lehtësim sasior, përmes të cilit bankat qendrore blejnë obligacione ose instrumente të tjerë financiarë në treg të hapur, me qëllim injektimin e një sasie më të madhe paraje në ekonomi.

Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk ka shkuar aq larg. Norma bazë e interesit është në nivelin 1%, çka do të thotë se politika monetare ka ende hapësira veprimi me instrumente klasike.

Megjithatë, është e qartë se sa më shumë norma bazë i afrohet zeros, aq më modeste janë ndikimet e uljes së saj të mëtejshme. Ndaj, Banka e Shqipërisë nuk përjashton përdorimin e instrumenteve të reja, që mund të rezultojnë më efikase, nëse inflacioni do të vazhdojë qëndrojë poshtë objektivit.

Vitin e kaluar inflacioni vjetor zbriti në nivelin 1.4%. Banka e Shqipërisë e shpjegoi rënien kryesisht me faktorë të ofertës, por në mbledhjet e fundit Këshilli Mbikëqyrës ka pranuar se ekonomia shqiptare është ende larg angazhimit të plotë të kapaciteteve të saj prodhuese dhe se rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit mbetet ende e pamjaftueshme për kthimin e inflacionit në objektiv.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes