23 Dhjetor

0 komente

Përmbaruesit edhe mbledhës vullnetarë borxhesh? Ligji i ri “tërbon” bankat.

Autor Ersuin Shehu

23 Dhjetor, 2019


Problemet e sistemit bankar me përmbaruesit privatë nuk kanë të sosur. Pasi më në fund u zgjidh problemi i shumëdebatuar i tarifave përmbarimore, këtë herë objekt i shqetësimit të bankave janë bërë disa ndryshime në ligjin “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, të miratuara në maj të këtij viti. Sipas Shoqatës Shqiptare të bankave, këto ndryshime u bënë në momentin e fundit para miratimit të ligjit, jashtë procesit normal dhe transparent të konsultimit të draftit me palët e interesit.

Më konkretisht, bëhet fjalë për dispozitën e parashikuar në nenin 2, pika b, sipas të cilit përmbaruesi privat mund të ushtrojë si veprimtari dytësore njoftimin dhe kryerjen e mbledhjes së detyrimeve financiare me mirëkuptim, me kërkesë të të interesuarve.

Sipas Shoqatës së Bankave, ligjërisht çdo kreditor e ka të drejtën të mbledhë detyrimet jashtë procesit ligjor të ekzekutimit, por dhënia e një kompetence të tillë për përmbaruesit privatë i vendos ata në konflikt flagrant interesi me misionin e tyre kryesor, që është vënia në zbatim e titujve ekzekutivë.

Një qëndrim identik për këtë dispozitë pati mbajtur edhe Presidenti i Republikës, që refuzoi ta dekretonte ligjin në qershor të këtij viti dhe e ktheu për rishqyrtim në Kuvend. Kodi i Procedurës Civile parashikon që përmbaruesi është një hallkë ligjore që aktivizohet me nxjerrjen e urdhërit të ekzekutimit, për të zbatuar procesin e ekzekutimit të detyrueshëm.

Me ligjin e ri, përmbaruesit mund të zhvillojnë aktivitet ndërmjetësimi në mbledhje borxhesh, çka del jashtë funksionit të tyre ligjor bazë, por i vendos edhe në pozitat e konfliktit të interesit. Megjithatë, Kuvendi i refuzoi vërejtjet e Presidentit dhe e miratoi sërish ligjin, të pandryshuar.

Shoqata e Bankave shprehet se dhënia e kompetencës për të mbledhur detyrime financiare jashtë procesit të ekzekutimit dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë bankat dhe institucionet kredidhënies. Sipas Shoqatës, kjo mund të ketë pasoja në rritjen e kredive me probleme dhe në frenimin e kreditimit të ekonomisë.

Për këtë qëllim, Shoqata Shqiptare e Bankave iu është drejtuar me një letër zyrtare institucioneve kryesore të vendit, ku kërkon ndryshimin sa më të shpejtë të dispozitave përkatëse të “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, duke iu hequr përmbaruesve të drejtën për të ushtruar aktivitet të mbledhjes së detyrimeve financiare me mirëkuptim.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes