Numri i shqiptarëve që po paguajnë për një pension privat ka arritur në më shumë se 28 mijë. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vitin e kaluar numri i kontribuesve është shtuar me rreth tre mijë individë ose 12% më shumë krahasuar me vitin 2018.
Më shumë se 60% e gjithë kontribuesve i takojnë fondit Credins Pension. Ky fond në fund të vitit të kaluar numëronte mbi 17 mijë anëtarë.
Credins është fondi që ka arritur rezultatet më të mira në promovimin e skemës te kontribues të pavarur individualë, duke shfrytëzuar edhe rrjetin e Credins Bank. Ndërkohë, Raiffeisen dhe Sigal mbështeten kryesisht te skemat profesionale dhe partneritetet me bizneset.
Tregu regjistroi një rritje të lartë edhe në volum, me një total aktivesh që arriti në 2.9 miliardë lekë ose 23.5 milionë euro. Megjithëse zë ende një pjesë modeste në tregun financiar, në vitet e fundit ky segment po rritet me ritme të shpejta.
Asetet neto për vitin 2019 u zgjeruan me afërsisht 27%. Për nga vlera e aktiveve, fondi më i madh ngelet Sigal Pension, që zotëronte aktive neto në vlerën e 1.33 miliardë lekëve ose rreth 46% të tregut.
Në fund të vitit 2019 u licencua edhe fondi i katërt i pensioneve private, Albsig pension, çka dëshmon një rritje të interesit rreth këtij sektori. Albsig Pension fillimisht ka qëllim pritet të përfshijë në skemë punonjësit e ndërmarrjeve të grupit të biznesit Kastrati.
Rritja e skemave private të pensioneve do të kishte një impakt shumë të rëndësishëm social dhe ekonomik në afatin e gjatë, duke ulur presionin mbi skemën shtetërore të sigurimeve shoqërore. Megjithatë, incentivat për rritjen e këtyre fondeve ende nuk janë shumë joshëse.
Sipas ligjit, këto kontribute përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në masën e 15% të të ardhurave vjetore bruto, por jo më shumë se 200 mijë lekë në vit. Ligji i ri, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave, parashikon që kontributi i përjashtuar nga tatimet të rritet në 240 mijë lekë në vit.
AMF-ja kishte propozuar që pensionet private, në momentin e përfitimit, të tatoheshin vetëm për kthimin nga investimi, por jo për shumën e derdhur nga kontribuesi. Propozimi nuk është pranuar nga qeveria dhe nuk është reflektuar në projektligj, çka nënkupton se pensionet private do të tatohen të plota, në masën e parashikuar nga ligji për tatimin mbi të ardhurat personale.