7 Janar

0 komente

Pensionet private, kontributet e përjashtuara nga taksat rriten në 240 mijë lekë në vit

Autor Ersuin Shehu

7 Janar, 2020


Shqipëria do të rrisë lehtësitë fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hedhur për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për fondet e pensionit vullnetar”, që, ndër të tjerash parashikon rritjen e shumës së kontributeve që përjashtohen nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale. Kjo shumë do të rritet në 240 mijë lekë në vit, nga 200 mijë lekë në vit që parashikon ligji aktual.

Ndërkohë, ligji i ri do të ruajë të pandryshuar shumën e zbritshme nga tatimet për kontributet e derdhura nga punëdhënësi, që do të ngelet në kufirin e 250 mijë lekëve në vit.

Ndryshimet në ligj janë hartuar kryesisht nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me konsulencën e ekspertëve të Bankës Botërore. Por, drafti i paraqitur nga AMF-ja nuk është reflektuar plotësisht në projektligjin që propozon Ministria e Financave.

AMF-ja kishte propozuar që pensionet private, në momentin e përfitimit, të tatoheshin vetëm për kthimin nga investimi, por jo për shumën e derdhur nga kontribuesi. Ky propozim nuk është pranuar nga qeveria dhe nuk është reflektuar në projektligj. Kjo nënkupton se pensionet private do të tatohen të plota, në masën e parashikuar nga ligji për tatimin mbi të ardhurat personale.

Ligji i ri do të vendosë edhe një afat kohor për tërheqjen e parakohshme nga fond ii pensioneve. Sipas propozimit të Ministrisë së Financave, tërheqja e parakohshme mund të bëhet vetëm pas 10 vjetësh, nga fillimi i derdhjes së kontributeve. Por, edhe pas kësaj periudhe, do të aplikohen penalitete, siç parashikohet edhe në ligjin ekzistues.

Kjo dispozitë është shtuar për të dekurajuar tërhqejet e parakohshme të fondeve nga skema, me qëllim mbajtjen e tyre deri në momentin e daljes në pension. Ligji parashikon që përfitimet nga pensioni privat mund të nisin vetëm 5 vjet para moshës që parashikohet për daljen në pension në skemën e detyrueshme shtetërore.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes