Prodhimi kombëtar në Shqipëri ka arritur në 571 mijë lekë për frymë. Të dhënat gjysmë-finale të Instat tregojnë se prodhimi i brendshëm bruto për frymë në vitin 2018 u rrit me 5.7%, përkundrejt një rritjeje ekonomike ne rreth 4.1%. Në vitet e fundit, rritja e prodhimit për frymë është më e lartë se rritja ekonomike, për shkak të tkurrjes së vazhdueshme të popullsisë së vendit.
Ndërkohë, shifrat sipas rajoneve dëshmojnë se prodhimi për frymë vazhdon të ketë një nivel të lartë pabarazie. Vetëm dy qarqe të vendit, Tirana dhe Fieri, kanë prodhim për frymë më të lartë se mesatarja kombëtare. Tirana ka një prodhim për frymë në vlerën e 783 mijë lekëve, shumë kjo 37% më e lartë se mesatarja kombëtare, ndërsa Fieri 599 mijë lekë, rreth 5% më shumë se mesatarja e vendit.
Në të gjithë qarqet e tjerë të vendit prodhimi për frymë është më i ulët se mesatarja prej 571 mijë lekësh. Qarqet me të prodhimin më të ulët është Kukësi, me 362 lekë në vit, i ndjekur nga Elbasani me 398 mijë lekë dhe Dibra me 403 mijë lekë.
Sidoqoftë, diferenca mes qarkut me prodhimin më të lartë dhe atij më të ulët për frymë është ulur në 116%, nga 128% që kishte qenë në vitin 2017.
Ky ngushtim i pabarazisë lidhet sidomos me faktin që rritja ekonomike sipas rajoneve në vitin 2018 ka pasur diferenca më të ngushta. Nëse vitin paraardhës rritja kishte ardhur pothuajse e gjitha nga qarqet e Tiranës dhe Durrësit, për vitin 2018 kjo rritje kishte një shpërndarje më të balancuar mes qarqeve.
Kontributin kryesor në rritje e dha Tirana, me 2.18 pikë përqindje, e ndjekur nga Fieri me 0.58 pikë përqindje, Vlora me 0.31 pikë, si edhe Elbasani e Durësi me 0.25 pikë përqindje.