10 Mars

0 komente

Papunësia thyen rekord të ri, bie në 11.2%

Autor Ersuin Shehu

10 Mars, 2020


Ulja e papunësisë regjistroi një rekord të ri në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Instat raporton se shkalla zyrtare e papunësisë zbriti në 11.2%, 0.2 pikë përqindje më pak krahasuar me tremujorin e tretë.

Ky është njëkohësisht edhe niveli më i ulët i regjistruar në 30 vitet e fundit në ekonominë shqiptare. Papunësia vazhdoi të bjerë edhe në një vit kur ekonomia e ngadalësoi ndjeshëm rritjen.

Mbështetur në të dhënat e tremujorëve të parë, ekonomia shqiptare u rrit me mesatarisht 3%, nga rreth 4.1% që pati qenë rritja e vitit 2018.

Megjithatë, ngadalësimi i ekonomisë vitin e kaluar dhe rreziqet në rritje për vitin 2020 duket se ende nuk po reflektohen në shifrat e tregut të punës.

Përkundrazi, papunësia është ulur dhe shkalla e punësimit për popullsinë në moshë pune është rritur më tej në 61.6%.

Me bazë vjetore, punësimi është rritur me 3.1% i mbështetur kryesisht nga sektori i industrisë.

Ashtu si papunësia, edhe shkalla e punësimit ka arritur një nivel rekord për 30 vitet e fundit.

Mund të hipotizohet se tendenca e emigrimit të popullsisë në vitet e fundit, sidomos mes të rinjve, e ka tkurrur ndjeshëm kontigjentin e punëkërkuesve potencialë, duke ndikuar në përmirësimin e treguesve të punësimit në ekonomi.

Integrimi i të rinjve në tregun vendas të punës ngelet i vështirë dhe shkalla e papunësisë mes tyre është 21.4%, pothuajse dy herë më shumë krahasuar me papunësinë mesatare.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes