17 Prill

0 komente

Pandemia godet rëndë eksportet, ranë me 36% për marsin

Autor Ersuin Shehu

17 Prill, 2020

kryesore

Pandemia e Covid 19 ka goditur rëndë eksportet shqiptare që në muajin mars. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet ranë me 36% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë që rënia është shtrirë pothuajse tek të gjitha mallrat e eksportit, goditjen më të rëndë e ka marrë sektori i fasoneve, që është edhe shtylla kryesore e eksporteve shqiptare. Për marsin, eksportet e tekstileve dhe këpucëve pothuajse u përgjysmuan krahasuar me vitin e kaluar.

Rënie të thellë kanë pësuar eksportet në grupin “Materiale ndërimi e metale”, me 50% dhe “minerale, lëndë djegëse, energji”, me 41%. Ndërkohë, grupi i produkteve ushqimore ka qenë ndër më pak të prekurit dhe eksportet për marsin ranë vetëm me 7%. Sipas partnerëve tregtarë, pandemia ka goditur sidomos eksportet drejt Italisë, që praktikisht u përgjysmuan për muajin mars.

Megjithatë, edhe në këto kushte ka një lajm të mirë: pavarësisht rënies së eksporteve, bilanci tregtar i vendit për marsin u përmirësua ndjeshëm. Deficiti tregtar ishte 24 miliardë lekë, 15% më pak krahasuar me marsin e vitit të kaluar.

Kjo natyrisht ka ndodhur sepse importet për marsin pësuan një rënie edhe më të thellë në vlerën e tyre. Sipas Instat, për marsin u importuan mallra në vlerën e 42 miliardë lekëve, në rënie me 24% krahasuar me marsin e vitit të kaluar.

Grupet që pësuan më shumë rënie ishin “minerale, lëndë djegëse, energji”, me 34% dhe “tekstile e këpucë”, me 14%.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes