Pandemia e Covid-19 ka frenuar tregun e fluturimeve pas tetë vitesh radhazi në rritje. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për marsin numri i pasagjerëve në transportin ajror ishte rreth 76 mijë, në rënie me 64% krahasuar me marsin e vitit të kaluar.
Bllokimi i marsit bëri që tremujori i parë të mbyllej me një bilanc negativ dhe numri i udhëtarëve ra me 15.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Më datë 10 mars Shqipëria ndërpreu të gjitha fluturimet me Italinë, ndërsa deri në datën 23 mars u ndërprenë edhe shumica e fluturimeve të tjera, me përjashtim të linjës Tiranë- Stamboll, të operuar nga Air Albania.
Sipas të dhënave më të fundit, gjatë marsit në Shqipëri operojnë 16 shoqëri ajrore, që kryen gjithsej 900 fluturime, sa gjysma e atyre të marsit 2019.
Edhe tregu i transportit detar pësoi rënie në të njëjtat përmasa, me një rënie të numrit të pasagjerëve me 67% për muajin mars.
Shoqëritë e transportit kanë qenë të prekurat e para nga mbyllja e kufijve dhe pezullimi lëvizjes së shtetasve. Pandemia e Covid 19 pritet të ndikojë rëndë edhe turizmin jashtë kufijve për sezonin veror, ndaj ky pritet të jetë një vit i zymtë për bizneset e transportit ajror dhe detar të pasagjerëve.
Biznesi i shoqërisë koncesionare Tirana International Airport pritet të pësojë një goditje këtë vit, pas të paktën një dekade me fitime të majme.