Kryerja e pagesave është një aktivitet që bart kosto në para’ dhe në kohë shumë më të madhe nga sa mund të mendojmë. Një studim i Bankës së Shqipërisë për kostot dhe kursimet e pagesave me vlerë të vogël ka treguar se në total këto pagesa kanë një kosto sa rreth 2.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose pothuajse 300 milionë dollarë në vit.
Pjesë më e madhe e këtyre kostove, kuptueshëm, nga konsumatorët, por edhe nga bizneset. Në kohë, çdo shqiptar shpenzon mesatarisht rreth 42 minuta për të shkuar, për të pritur në radhë dhe për të kryer një transaksion në një zyrë pagesash, si dhe rreth 29 minuta për të shkuar, për të pritur në radhë dhe për të kryer transaksion në një degë banke.
Kostot e mëdha në para dhe sidomos në kohë lidhen shumë me dominimin e parazë fizike si instrument pagesash në ekonominë shqiptare. Kosto e transaksioneve cash përbën edhe pjesën më të madhe dhe arrin në rreth 1.7% të PBB-së.
Një zëvendësim gradual i pagesave cash me forma të tjera dhe kryesisht pagesa elektronike do të sillte kursime të konsiderueshme për ekonominë dhe veçanërisht për konsumatorët. Mbështetur në disa skenarë hipotetikë të zëvendësimit, të parashikuara në studimin e Bankës së Shqipërisë, përfitimet e ekonomisë nga një përdorim më i madh i pagesave elektronike do të ishin të konsiderueshme.
Zëvendësimi i 70% të pagesave në formë letër me pagesa elektronike do të gjeneronte kursime në një vlerë sa pothuajse 1% e Prodhimit Kombëtar. Një përdorim më efikas i pagesave elektronike mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për rritjen ekonomike të vendit.
Nxitja e pagesave elektronike është e lidhur me shkallën e përfshirjes financiare, por edhe me nismat për incentivimin e tyre dhe uljen e kostove. Aktualisht, vlerësohet se vetëm 40% e shqiptarëve në moshë pune zotërojnë një llogari bankare.
Sigurimi i një llogarie bankare bazike për të gjithë do të ishte hap i rëndësishëm për të zgjeruar përfshirjen financiare. Pritet që brenda tre viteve të ardhshme, Shqipëria të miratojë një nismë të posaçme ligjore për mundësimin e llogarisë bankare bazike, pa kosto ose me kosto simbolike.