12 Maj

0 komente

Pagesat me internet banking dhe kartë ranë në muajin mars

Autor Ersuin Shehu

12 Maj, 2020

kryesore

Masat kufizuese kanë ndikuar negativisht në ecurinë e pagesave jo-cash në ekonomi gjatë muajit mars. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për muajin mars numri i transaksioneve bankare në distancë pësoi rënie të ndjeshme si në raport me shkurtin dhe janarin, ashtu edhe me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Pagesat përmes internet banking ose formave të ngjashme për marsin ishin 261 mijë, rreth 60 mijë më pak krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Vlera e transaksioneve rezultoi rreth 76 miliardë lekë, edhe kjo në rënie, me rreth 12 miliardë lekë krahasuar me marsin 2019.

Një tendencë e ngjashme i vërejt edhe në pagesat me kartë bankare. Banka e Shqipërisë raporton rreth 407 mijë pagesa në terminalet POS të bankave, numër ky në rënie të dukshme kundrejt dy muajve të parë të vitit, por edhe ndaj të njëjtit muaj të një viti më parë.

Mendohej se kufizimet drastike të lëvizjes të vendosura në muajin mars mund të ishin një shtysë që shqiptarët të përdornin më shumë pagesat përmes internetit dhe apo aparatit celular. Shifrat tregojnë se, në fakt, kjo nuk ka ndodhur. Kufizimi i aktivitetit ekonomik dhe tregtar ka pasur një ndikim dukshëm më të madh sesa prirja e perceptuar e individëve për të përdorur pagesat në distancë.

Megjithëse shumë biznese që prej muajit mars kanë filluar të eksplorojnë kanalet e shitjes në distancë, kjo nuk ka sjellë një rritje të pagesave direkte përmes këtyre kanaleve. Edhe kur kryejnë porosi në distancë, shqiptarët përgjithësisht preferojnë të paguajnë në dorëzim. Kjo tregon se shprehia e përdorimit të cash është ende dominuese, ndryshe nga përdorimi i kartës apo i një llogarie të internet banking.

Epidemia tregoi se qoftë bizneset, qoftë konsumatorët janë shumë larg të qenit të përgatitur për të zëvendësuar pjesërisht pagesat cash me ato elektronike. Mes të tjerash, kjo reflekton edhe mungesën totale të përpjekjeve apo incentivave nga qeveritë për të nxitur pagesat elektronike në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes