10 Mars

0 komente

Paga mesatare zyrtare është 426 euro në muaj

Autor Ersuin Shehu

10 Mars, 2020


Paga mesatare bruto në Shqipëri për vitin e kaluar ishte 52,400 lekë ose rreth 426 euro në muaj. Sipas të dhënave të Instat, paga mesatare u rrit me 3.5% krahasuar me vitin 2018.

Megjithatë, kjo rritje vlerësohet se u ndikua ndjeshëm nga rritja me ligj e pagës minimale në fillim të vitit 2019, nga 24 mijë lekë në 26 mijë lekë. Për tremujorin e fundit të vitit, pagat mesatare u shfaq edhe më e lartë, me rreth 53,500 lekë në muaj.

Sektori që ofron pagat më të larta në ekonomi ngelet ai financiar, ku çdo i punësuar paguhet mesatarisht 115 mijë lekë në muaj.

Paga mesatare në këtë sektor u rrit me  15 mijë lekë krahasuar me tremujorin e tretë dhe afërsisht në të njëjtën masë edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe një tjetër sektorë të shërbimeve me paga mesatarisht të larta, atë të informacionit dhe komunikimit. Paga mesatare mujore u rrit në 80 mijë lekë, 4 mijë lekë më shumë krahasuar me një vit më parë.

Këta sektorë përfshijnë më shumë kompani të mëdha dhe një staf më të specializuar. Megjithatë, duhet pasur parasysh edhe fakti që formalizimi i pagave në këta sektorë është më i lartë.

Të dhënat e pagave Instat i mbështet në listëpagesat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ndaj edhe shifrat nuk përfshijnë pagat që mund të jenë pjesërisht të padeklaruara.

Rënia e ndjeshme e pagave vitin e kaluar u raportua në sektorin e bujqësisë, ku paga mesatare ishte rreth 35 mijë lekë, 2 mijë lekë më pak krahasuar me fundin e vitit 2018.

Sektori publik vazhdon të ketë një nivel të pagës mesatare 31% më të lartë krahasuar me sektorin privat. Në fund të vitit të kaluar, paga mesatare në shtet ishte rreth 64 mijë lekë, ndërsa ajo në sektorin privat afërsisht 49 mijë lekë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes