15 Shkurt

0 komente

OTP më pranë blerjes së Raiffeisen Bank-Shqipëri?

Autor editor

15 Shkurt, 2021

kryesore

Prej muajsh, në tregun bankar shqiptar po qarkullojë rumours për negociata për blerjen e Raiffeisen Bank Shqipëri nga grupi bankar hungarez OTP. Pasi bleu gjithë rrjetin e Europës Juglindore të grupit Societe Generale, OTP duket se po negocion një marrëveshje të ngjashme edhe me Raiffeisen.

Grupi austriak është veçanërisht i interesuar për të dalë nga tregje që i kanë shkaktuar kokëçarje të konsiderueshme në vitet e fundit, sidomos bankën e vet ukrainase, AVAL. Por, interesi i OTP duket se është më i gjerë dhe prek edhe filiale të tjerë të Raiffeisen, përfshi atë në Shqipëri. Gjatë muajit janar, në bankën OTP qarkulluan zëra se marrëveshja për shitjen e Raiffeisen Bank – Shqipëri ishte arritur. Por, deri tani, këto zëra nuk kanë një konfirmim zyrtar.

Burime nga Banka e Shqipërisë shprehen se deri tani ky institucion nuk është njoftuar zyrtarisht për ekzistencën e negociatave për shitjen e Raiffeisen Bank – Shqipëri. Megjithatë, këto burime nuk përjashtojnë që mund të ekzistojnë negociata të këtij lloji në nivel të grupeve bankare.

Nëse një operacion i tillë do të realizohej, do të ishte transaksioni më i rëndësishëm në tregun bankar shqiptar që prej vitit 2004, kur pikërisht Raiffeisen fitoi garën për blerjen e ish-Bankës së Kursimeve. Për koicidencë, konkurrenti kryesor i Raiffeisen ishte pikërisht grupi hungarez OTP. Pas rreth 17 vjetësh, OTP është sërish afër blerjes së bankës në fjalë.

OTP hyri në tregun shqiptar dy vjet më parë, me blerjen e filialit të grupit bankar francez, Societe Generale.  Në fund të shtatorit 2020, OTP Bank Albania zotëronte aktive totale në vlerën e 95 miliardë lekëve ose 6.1% të tregut bankar shqiptar. Ndërsa Raiffeisen Bank zotëronte gjithsej 231 miliardë lekë aktive në total, ose rreth 14.8% të tregut. Një bashkim i mundshëm do ta bënte OTP Albania bankën e dytë më të madhe në Shqipëri, me mbi 21% të aktiveve të tregut.

Në muajin nëntor, një raport i njësisë së kërkimeve të grupit Raiffeisen, Raiffeisen Research identifikonte pikërisht grupin hungarez OTP, si një nga aktorët më të mundshëm potencialë për t’u zgjeruar më tej në Europën Juglindore. OTP është një grup me fokus kryesor bankingun klasik retail dhe nuk pësoi pasoja të mëdha nga kriza e vitit 2008. Gjithashtu, fakti që Hungaria është jashtë Eurozonës ka bërë që OTP të pësojë më pak nga trysnia në rritje rregullatore në epokën e post-krizës.

Në Shqipëri, OTP bleu nga Societe Generale një bankë në rritje dhe me parametra mjaft të mirë financiarë. Pas kalimit në pronësinë e OTP, performanca pozitive ka vijuar, madje në dy vitet e fundit ajo është banka më fitimprurëse, me kthime nga kapitali sipër kufirit të 20%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes