2 Maj

0 komente

Ora 17.30, emblema e marrëzisë

Autor Ersuin Shehu

2 Maj, 2020

kryesore

Më datë 11 maj, hapen parukeritë dhe berberët. Deri në orën 17.30. Më datë 18 maj, hapen baret dhe restorantet në mjedise të hapura, deri në orën 17.30. Edhe në zonat “e gjelbëra”, ku nuk ka asnjë rast Covid-19 dhe gjatë ditës njerëzit mund të lëvizin lirshëm, të gjithë duhet të mbyllen brenda në 17.30.

Ora 17.30 po bëhet emblemë e marrëzisë që ka kapluar qeverisjen. Dhjetëra mijëra biznese janë mbyllur prej gati dy muajsh. Kryeministri iu premtoi se do t’ua paguante ai pagën minimale, të emëruar me shprehjen krupndjellëse “paga e luftës”. Por, sot, pas afro dy muajsh ka ende mijëra e mijëra shqiptarë që nuk kanë marrë asnjë qindarkë dhe janë në kufijtë e mbijetesës.

Tani që më në fund bizneset mund të hapen, pas një mbylljeje të stërzgjatur dhe të pajustifikuar nga shifrat e epidemisë, prapë qeveria nuk heq dorë nga ora 17.30. Kjo është ora kur gjithë bizneset duhet të mbyllin qepenat, ndërsa njerëzit duhet të mbyllen sërish në shtëpi. Askush nuk po e kupton më përse. Për shumicën e bizneseve të shërbimeve, mbyllja në këtë orë kufizon në mënyrë drastike shitjet, në një kohë kur fuqia blerëse në tërësi paraqitet e mpirë nga rënia e të ardhurave dhe nga pasiguria.

Mbështetur në shifrat zyrtare, deri në fund të muajit prill janë miratuar rreth 100 mijë pagesa për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e bizneseve të të gjitha ndërmarrjeve që përfitojnë nga masat mbështetëse. Po t’iu referohemi të dhënave administrative, sektori privat në Shqipëri punësonte gjithsej rreth 516 mijë punonjës të deklaruar të deklaruar pranë organeve tatimore.

Pra, më pak se 20% e të punësuarve në sektorin privat kanë përfituar nga mbështetja minimale financiare e qeverisë. Kjo pjesë është shumë e ulët, po të kemi parasysh se pjesa dërrmuese e bizneseve janë prekur rëndë nga mbyllja e ekonomisë. Edhe ato që nuk janë mbyllur me urdhër, kanë pësuar rënie drastike të shitjeve.

Këtë javë, Banka Botërore nxorri projeksionin e parë realist për ecurinë e Prodhimit të Brendshëm bruto këtë vit. Sipas skenarit bazë, ekonomia shqiptare do të bjerë me 5%, madje në skenarin më të keq rënia mund të shkojë deri në 7%. Borxhi publik pritet të arrijë shifrën rekord prej 76% të PBB-së, për shkak të shpenzimeve të rritura të lidhura me krizën, por edhe për shkak të rënies së ekonomisë së shkaktuar nga mbyllja.

Pavarësisht nga këta skenarë shumë shqetësues, qeveria nuk heq dot dorë nga nevoja për t’i mbyllur të gjitha në orën 17.30. Numrat e epidemisë tashmë janë në rënie dhe situata ka qenë mëse e menaxhueshme edhe në pikun e saj.

Shqipëria e shmangur skenarin dramatic të shumë vendeve më të mëdha, për fat të mirë. Ndihmoi vetëdija për më shumë kujdes dhe distancim; na ndihmoi shumë edhe fati dhe faktorë që ende nuk janë plotësisht të qartë: por, e sigurtë është se nga “apokalipsi i 18 mijë viktimave” nuk na shpëtoi as Lideri Suprem dhe as mbyllja absurde në shtëpi pas orës 17.30.

Shqiptarët kanë nevojë të hyjnë në normalitetin e ri, të bashkëjetesës me Covid-19. Kjo është nevojë e madhe ekonomike, por edhe psikologjike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes