Operatorët e telefonisë celulare do të shtrenjtojnë sërish çmimet e paketave mujore për përdoruesit me parapagesë. Të paktën dy prej operatorëve, Vodafone Albania dhe Albtelecom, kanë njoftuar se paketat mujore bazë do të shtrenjtohen me 200 lekë në muaj. Operatori tjetër, Telekom Albania, të paktën deri tani, nuk ka shpallur ndryshime në çmimin apo kushtet e paketave mujore.
Kur bëhet fjalë për të reklamuar shërbimet dhe produktet e tyre, operatorët celularë janë ndër subjektet më aktive, duke shpenzuar miliona euro për ta “bombarduar” publikun në të gjitha kanalet e komunikimit, me reklama ku secili shpall se ofron shërbimin më cilësor dhe çmimet më të favorshme.
Por, kur bëhet fjalë për të njoftuar rritjen e çmimeve, operatorët mjaftohen me njoftime të fshehura në faqet e tyre zyrtare, që mund t’i gjesh vetëm duke kërkuar enkas për to. Edhe kaq, bëhet vetëm për shkak të detyrimit rregullator për të njoftuar paraprakisht ndryshimin e kushteve të shërbimeve.
Kjo vlen kryesisht për operatorin më të madh Vodafone Albania, ndërsa Albtelecom të paktën ka marrë mundimin të nxjerrë një pop up sipër faqeve të paketave ekzistuese, ku njofton se nga 30 janari ato nuk do të jenë më të vlefshme.
Që nga data 31 janar, paketa mujore më e lirë për përdoruesit Albtelecom do të kushtojë 900 lekë, nga 700 lekë që kushton aktualisht. Edhe paketat e tjera do të shtrenjtohen me 200 lekë.
Ndërsa për abonentët e Vodafone Albania, nga data 11 shkurt, paketa mujore më e lirë (Vodafone Talk) nuk do të kushtojë më 800 lekë, por tashmë 1000 lekë. Edhe paketat Vodafone Youmix do të shtrejtohen nga 100 deri në 200 lekë, duke ruajtur të njëjtën sasi të njësive të komunikimit.
Gjithashtu, të dy operatorët kanë njoftuar se vlera minimale e ofruar e rimbushjes për numrat me parapagesë do të jetë 200 lekë.
Paketat janë praktikisht e vetmja mënyrë komunikimi nga abonentët me parapagesë të telefonisë celulare, sepse tarifat standarde të thirrjeve janë tejet të larta (fillojnë nga 29 lekë për minutë) dhe nuk kanë ndryshuar që prej rreth 12 vjetësh.
Pas daljes nga tregu të operatorit Plus Communication, në fund të vitit 2018, efektet e uljes së konkurrencës kanë filluar të ndjehen shpejt. Qysh vitin e kaluar, operatorët celularë rritën çmimet e paketave dhe ulën njëkohësisht edhe sasinë e njësive të të komunikimit të përfshirë në to. Viti 2020 ka nisur me një valë të re shtrenjtimi.
Afërsisht një dekadë konkurrencë e ashpër e ka vendosur në presion të fortë biznesin e komunikimeve celulare në Shqipëri. Plus u detyrua të dalë nga tregu, Albtelecom vepron prej më shumë se një dekade me humbje, ndërsa Cosmote vendosi ta shesë kompaninë Telekom Albania te dy investitorë bullgarë.
I vetmi operator që ende mbahet në pozita të shëndosha është Vodafone, kryesisht falë pjesë së lartë të tregut që zotëron. Sidoqoftë, edhe për Vodafone fitimet kanë rënë në mënyrë drastike në vitet e fundit.
Duke parë tkurrjen e fitimeve dhe nevojën për investime të reja, tani që teknologjia 5G po troket në derë, operatorët po rrisin në mënyrë të ndjeshme çmimet për përdoruesit.