Operatorët celularë në vend i janë bindur vendimit të Autoritetit të Konkurrencës dhe kanë tërhequr nga tregu paketat e reja, që kishin hedhur në treg mes fundit të muajit janar dhe fillimit të muajit shkurt.
Gjithashtu, dy prej operatorëve e kanë anulluar edhe rritjen e shumës minimale të rimbushjes, nga 100 lekë në 200 lekë, megjithëse vendimi për marrjen e masave të përkohshme nuk e kërkonte shprehimisht një masë të tillë.
Në vendimin e datës 14 shkurt, Autoriteti i Konkurrencës kishte urdhëruar operatorët celularë të ndërprisnin menjëherë dhe jo më vonë se pesë ditë nga njoftimi aplikimin e paketave të reja 30 ditore.
Në të kundërt, kompanitë në fjalë mund të merrnin gjoba periodike deri në 5% të xhiros mesatare ditore deri në zbatimin e vendimit. Në rast të moszbatimit përfundimtar të vendimit, gjoba mund të arrinte deri në 10% të xhiros së vitit parardhës.
Në këtë rast, roli i Autoritetit të Konkurrencës ka rezultuar efikas për rregullimin e tregut dhe mbrojtjen e konkurrencës. Operatorët celularë kanë preferuar të shmangin rrezikun e sanskioneve dhe të zbatojnë urdhërin, megjithëse shpeshherë në të shkuarën gjobat e Autoritetit të Konkurrencës ndaj ndërmarrjeve janë bërë objekt çështjesh gjyqësore që kanë zgjatur me vite të tëra, në nivele të ndryshme të gjykimit.
Pas ndërmarrjes së masave të përkohshme, tregu i telefonisë celulare do të jetë objekt i një procedure hetimi paraprak për periudhën 1 nëntor 2019- 31 mars 2020.
Në argumentimin e vendimit, Autoriteti është shprehur se shtrenjtimi i njëkohshëm i paketave nga operatorët celularë mund të përbëjë marrëveshje të ndaluar, sipas nentit 4 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Nëse nga hetimi paraprak do të rezultojnë indicie të një sjelljeje të bashkërenduar të tre ndërmarrjeve, Komisioni i Konkurrencës do të urdhërojë hapjen e një hetimi të thelluar.