Numri i lejeve të ndërtimit pësoi rënie vitin e kaluar, duke i dhënë fund një cikli trevjeçar rritjeje me ritme të larta.
Mbështetur në të dhënat e Instat, për vitin 2019 u dhanë gjithsej 1044 leje ndërtimi, në rënie me 13% krahasuar me vitin 2018.
Numri i lejeve pësoi një rënie drastike në tremujorin e fundit, me rreth 46% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Një ndikim në uljen e numrit të lejeve mund të ketë dhënë edhe tërmeti i nëntorit. Menjëherë pas tij, qeveria vendosi pezullimin e lejeve për ndërtime të reja, për t’i dhënë prioritet lejeve të lidhura me procesin e rindërtimit.
Sidoqoftë, pavarësisht frenimit në gjysmën e dytë të vitit, sërish viti 2019 regjistroi një numër lejesh ndjeshëm më të lartë se mesatarja e pesë viteve të fundit. Edhe për vitin e kaluar Tirana ishte qarku me numrin më të madh të lejeve, 373 gjithsej, e ndjekur nga nga Durrësi, Fieri dhe Elbasani.
Sipas statistikave të detajuara, pjesë më të madhe të lejeve e përbëjnë ndërtimet rezidenciale.
Një efekt në rritjen e numrit të lejeve në vitet e fundit ka dhënë edhe kufizimi i praktikës së ndërtimeve pa leje.
Kështu, rreth 70% e lejeve të dhëna për ndërtime rezidenciale vitin e kaluar janë për ndërtesa një ose dy katëshe.
Vitet e fundit, individët dhe bizneset kanë shfaqur një interes në rritje për të investuar në pasuri të paluajtshme. Kjo tendencë është favorizuar edhe nga normat e ulëta historike të interesit.