9 Korrik

0 komente

Numri i kontribuesve të pensioneve private kalon pragun e 30 mijë

Autor Ersuin Shehu

9 Korrik, 2020

kryesore

Tregu i pensioneve private vijoi rritjen edhe në tremujorin e parë të këtij viti, pavarësisht shpërthimit të pandemisë së Covid-19. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se asetet neto të fondeve arritën në afërsisht 3.1 miliardë lekë, me një rritje prej 6.3% krahasuar me fundin e vitit 2019.

Rritja ishte pak më e lartë në numrin e anëtarëve të fondeve. AMF raporton se në fund të muajit mars ata arritën në 30 300, në rritje me 7% që nga fillimi i vitit. Ndikimin kryesor në rritjen e numrit të anëtarëve për këtë tremujor e ka dhënë fondi i ri, Albsig Pension. Në tremujorin e parë të aktivitetit, ky fond regjistron mbi 1 600 anëtarë, që përbëjnë afërsisht 5.4% të numrit të përgjithshëhm të kontribuesve në këto fonde.

Credins Pension ngelet fondi më i madh sipas numrit të anëtarëve. Në fund të marsit, Credins Pension numëronte mbi 17 400 anëtarë ose rreth 57.5% të totalit.

Ndërkohë, sipas vlerës së aseteve tregu kryesohet nga Sigal Pensions, me 45.5%, e ndjekur nga Credins Pensions me afërsisht 29% të tregut.

Vitet e fundit, tregu i pensioneve private është rritur me ritme të kënaqshme dhe ka tërhequr investitorë të rëndësishëm të tregut financiar. Megjithatë, madhësia e tregut ngelet ende shumë modeste, në kufijtë e 25 milionë eurove.

Ligji i ri “Për fondet e pensionit vullnetar”, ndër të tjerash parashikon rritjen e shumës së kontributeve që përjashtohen nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale. Kjo shumë do të rritet në 240 mijë lekë në vit, nga 200 mijë lekë në vit që parashikon ligji aktual. Ndërkohë, ligji i ri do të ruajë të pandryshuar shumën e zbritshme nga tatimet për kontributet e derdhura nga punëdhënësi, që do të ngelet në kufirin e 250 mijë lekëve në vit.

AMF-ja kishte propozuar që pensionet private, në momentin e përfitimit, të tatoheshin vetëm për kthimin nga investimi, por jo për shumën e derdhur nga kontribuesi. Ky propozim nuk është pranuar nga qeveria dhe nuk është reflektuar në ligjin e ri. Kjo nënkupton se pensionet private do të tatohen të plota, në masën e parashikuar nga ligji për tatimin mbi të ardhurat personale.

Ligji i ri do të vendosë edhe një afat kohor për tërheqjen e parakohshme nga fondi i pensioneve. Tërheqja e parakohshme mund të bëhet vetëm pas 10 vjetësh, nga fillimi i derdhjes së kontributeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes