Në verën e vitit 2008, Rezart Taçi kishte një problem të madh. Në krye të një konsorciumi investitorësh, kishte fituar tenderin për blerjen e 85% të aksioneve të kompanisë ARMO për 128 milionë euro, por, në fakt, nuk i kishte të gjitha paratë që kishte ofruar. Në momentin e fundit, kur blerja po rrezikonte të dështonte, arriti ta gjente zgjidhjen: një hua prej 75 milionë eurosh, e siguruar nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit (IBA), bankë tregtare me aksioner kontrollues qeverinë azere.
Huaja prej 75 milionë eurosh zgjidhi problemin e Rezart Taçit dhe mundësoi privatizimin e ARMO-s. Por, në dekadën që vijoi, siç e dimë, ky financim ishte zanafilla e një katastrofe ekonomike për ARMO-n dhe gjithë industrinë e përpunimit të naftës në vend.
Në vitet që pasuan, ARMO dështoi në mënyrë të përsëritur, duke grumbulluar më shumë se gjysmë miliardë euro borxhe dhe duke paralizuar industrinë e përpunimit të naftës në vend. Në një farë mënyre, sigurimi i asaj kredie do ta shënonte për keq fatin e ARMO-s dhe rafinerisë së Ballshit.
Privatizimi i ARMO-s u mundësua nga një bankier i korruptuar
Marrja e kredisë së Taçit në Azerbajxhan ishte një fakt u bë gjerësisht publik në vitin 2013, kur azerët e hodhën në gjyq, duke i kërkuar kthimin e parave. Në fund, Taçi u detyrua të tërhiqej dhe ta shiste ARMO-n dhe bizneset e tij të naftës te një kompani e quajtur Heaney Assets, për rreth 50 milionë euro.
Çdokush që e njeh sadopak funksionimin e bankave tregtare, me të drejtë u çudit sesi banka azere dha një hua aq të madhe për një investim jashtë vendit, për më tepër te një subjekt pa reputacion ndërkombëtar dhe pa ndonjë garanci formale. Si u arrit të sigurohej kredia e famshme dhe kush fshihej pas Heaney Assets, kompanisë që mori në pronësi ARMO-n pasi mosshlyerjes së borxhit?
Përgjigjja e këtyre pyetjeve qëndron pas emrit të Xhihangir Haxhijev, ish-drejtori i plotfuqishëm i IBA-s. Në vitin 2016, ky person dënua në Azerbajxhan me 15 vjet burg, për shpërdorim detyre dhe përvetësim të parave nga banka që drejtonte.
Kredia për ARMO-n përfaqëson shembullin tipik të skemës së aplikuar prej tij në disa raste. Haxhijev jepte kredi te kompani të regjistruara në parajsa fiskale, me qëllim hapjen e bizneseve ose blerjen e pasurive në vende të ndryshme. Zakonisht, pas këtyre kompanive offshore qëndronte vetë Haxhijev dhe këto kredi nuk ktheheshin asnjëherë.
Me sa duket, një ujdi të ngjashme Haxhijev e ka bërë edhe me Rezart Taçin, në vitin 2008. Haxhijev do t’i jepte paratë që i duheshin për të blerë ARMO-n dhe, ndoshta, do të bëhej aksioner në ARMO përmes një kompanie offshore. Por, nëse marrëveshja ka qenë kjo, dinamika e ngjarjeve tregoi se Taçi i doli nga fjala. Pas marrjes së parave, as kredia nuk u shlye dhe as Haxhijev nuk u bë aksioner në ARMO. Madje, një nga njerëzit e Haxhijev që erdhi në Shqipëri për t’i kërkuar paratë përfundoi i plagosur.
Çështja gjeti zgjidhje vetëm në vitin 2013, kur banka azere iu drejtua gjykatës së Tiranës dhe arriti të bllokonte të gjitha pasuritë e ARMO-s, derisa Taçi u detyrua ta shiste kompaninë. Por, çuditërisht, ARMO nuk u ble nga kreditori, apo nga ndonjë kompani e kontrolluar direkt prej tij: pronari i ri rezultoi të ishte një kompani e quajtur Heaney Assets, e regjistruar në Ishujt Virxhin, vend i njohur si parajsë fiskale. Pronësia e kësaj kompanive ngeli mister, deri kur Haxhijev u arrestua dhe hetimet në Azerbajxhan treguan se pas Heaney Assets fshihej vetë ish-drejtori i IBA-s.
Sipas hetimeve të kryera në Azerbajxhan, Haxhijev e përdori kompaninë Heaney Assets edhe për të marrë në zotërim Bahar Energy, kompani që kishte përfituar koncesione për nxjerrjen e naftës dhe të gazit në Kazakistan. Njëlloj si me ARMO-n, Haxhijev u bë pronar i Bahar Energy, jo me paratë e tij, por me paratë e bankës që drejtonte.
Biznesi i Haxhijev në Shqipëri dështoi shpejt. Në vitin 2014, aktiviteti u paralizua për shkak të borxheve dhe bankat kreditore bllokuan pasuritë e paluajtshme, përfshi asetet kryesore të kompanisë, rafineritë e Ballshit dhe Fierit. Vetë skema mashtruese e Haxhijev do të zbulohej një vit më vonë.
Ai u arrestua në fund të vitit 2015, ndërsa një vit më vonë Gjykata e Bakusë e dënoi me 15 vjet burg. Në shtator, dënimi iu shtua edhe me një 1.5 vjet, në një proces të dytë. Në total, Haxhijev u dënua me 16.5 vjet burg për shpërdorim detyre, përvetësim, mashtrim me shuma të mëdha, korrupsion aktiv dhe evazion fiskal.
Sipas akuzave, dëmi ekonomik që iu shkaktua bankës nga aktiviteti i Haxhijev ishte rreth 9 miliardë dollarë, shumë kjo sa afërsisht një e katërta e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Azerbajxhanit.
Skema e mashtrimit të Haxhijev në shumicën e rasteve ishte dhënia e huave të mëdha te kompani të lidhura me të, ndonjëherë të destinuara për projekte apo shpenzime fiktive. Këto kredi nuk ktheheshin kurrë dhe paratë ose asetet e blera me to përfundonin në xhepat e Haxhijev dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Në vitin 2018, bashkëshortja e tij, Zamira Haxhijeva, u bë shtetasja e parë subjekt i urdhrit të detyrimit për të justifikuar burimin e pasurisë në Britaninë e Madhe. Ajo u bë e famshme sepse rezultoi të kishte shpenzuar mbi 16 milionë sterlina në dyqanet Harrods në Londër. Pas hetimeve të autoriteteve britanike, rezultoi se që nga viti 2010 e deri në vitin 2016, ajo kishte shpenzuar rreth 70 milionë sterlina për blerje të kryera në këtë vend.
Këto shpenzime sigurisht që nuk justifikoheshin me të ardhurat e ligjshme të saj apo të bashkëshortit; ato ishin produkt i vjedhjeve të mëdha të Haxhijev i bëri bankës që drejtonte. Haxhijeva u arrestua vitin e kaluar, pas një kërkese ekstradimi nga Azerbajxhani.