Shqipëria do të testojë për herë të parë teknologjinë 5G. Kompania Vodafone Albania ka marrë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare një autorizim për përdorim frekuencash të reja, me qëllim pikërisht testimin e gjeneratës së re të transmetimit të të dhënave përmes rrjeteve të lëvizshme. AKEP i ka dhënë Vodafone autorizim individual për të përdorur frekuencat në brezin 3600-3800 Mhz, për kërkim, matje dhe provë.
Autorizimi do të jetë i përkohshëm, deri në 14 dhjetor të këtij viti dhe testimet do të kryhen në tre stacione të vendosura në Tiranë. Ligji “Për Komunikimet Elektronike” i lejon AKEP-it që të lëshojë autorizime individuale për përdorimin e frekuencave për qëllime kërkimi, matjeje dhe prove të pajisjeve të radiokomunikimit, për një zonë të kufizuar mbulimi dhe për një periudhe kohore jo më shumë se 90 ditë.
Gjenerata 5G është kufiri i ri teknologjik i komunikimeve të lëvizshme, që pritet të sjellë shpejtësi interneti shumë të larta se ato që ekzistuese. Vlerësohet se rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi maksimale interneti që tejkalojnë kufirin e 10 Gbps ose 10 herë më të larta krahasuar me versionet më të avancuara të teknologjisë 4G.
Në praktikë, shpejtësia e mundësuar për përdoruesit e rrjeteve, në aparatet e tyre, natyrisht që do të jetë larg asaj maksimale dhe do të varet nga shumë faktorë. sidoqoftë, qysh në vitet e para të përdorimit të teknologjive 5G pritet që përdoruesit e rrjeteve të mund të përdorin shpejtësi që shkojnë në disa qindra Mbps. Për shembull, abonentët e operatorit amerikan Verizon, një nga të parët që ka nisur ofrimin e rrjetev 5G, marrin nga një vendodhje fikse shpejtësi nga 300 Mbps, deri në 1 Gbps.
AKEP synon që, duke filluar nga viti i ardhshëm, të nisë procedurat për tenderimin e frekuencave që do të përdoren në rrjetet 5G. Kjo teknologji pritet të shfrytëzojë disa breza frekuencash. Njëri prej tyre pritet të jetë ai në të cilin Vodafone do të kyejë testimet, brezi 3.5Ghz. Por, mendohet se spektri bazë për këtë teknologji do të jetë a i brezit 700 Mhz. Problemi është se në Shqipëri ky brez përdoret nga operatorët e transmetimeve televizive dixhitale tokësore.
AKEP ka kërkuar ndryshimin e planit të frekuencave dhe lirimin e këtyre frekuencave brenda qershorit të vitit të ardhshëm. Por, duke pasur parasysh eksperiencën me brezin 800 Mhz, ka pak të ngjarë që ky brez të lirohet në afate të shpejtë. Për të bërë këtë, shteti duhet të dëmshpërblejë në vlera të mëdha operatorët që kanë marrë licenca transmetimesh televizive, njëlloj siç ndodhi me brezin 800 Mhz, pas mbylljes së transmetimeve analoge.