Në fund të muajit prill, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për shërbimet e pagesave”. Drejtoresha e Sistemeve të Pagesave në Bankën e Shqipërisë, Ledia Bregu, thotë se se ligji i ri do të sjellë edhe në Shqipëri konceptin e open banking (bankingut të hapur), çka do t’iu japë akses institucioneve financiare të pagesave në të dhënat e llogarive bankare për qëllimet e kryerjeve të transaksioneve të pagesave të klientëve të tyre.
Ligji i ri parashikon ofrimin e shërbimeve të informimit mbi llogarinë dhe të inicimit të pagesave, dy koncepte të reja për tregun financiar shqiptar. Shërbimi i informacionit mbi llogarinë mund të ofrohet nga institucionet e pagesave ose nga palë të treta, që do të mundësojnë bashkimin dhe qendërzimin e informacionit për të gjitha llogaritë që përdoruesi mund të ketë në banka të ndryshme.
Ligji i ri do të hyjë në fuqi në fund të muajit tetor, ndërsa Banka e Shqipërisë ka afat deri në fund të tetorit 2021 për të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore për zbatimin e tij.
Pse Shqipëria ka ende një zhvillim relativisht të ulët të sektorit fintech dhe si mund të kontribuojë ligji i ri “Për shërbimet e pagesave” për të nxitur këtë sektor?
Është e vërtetë se zhvillimi i këtij sektori është më modest krahasuar me vendet ekonomikisht më të zhvilluara se ne. Por, në krahasim me vendet e rajonit mund të them se nuk jemi aq të pazhvilluar, madje në Shqipëri ka më shumë institucione të parasë elektronike të licencuara krahasuar me shumicën e vendeve fqinje. Pavarësisht nga kjo, zhvillimi i institucioneve financiare të mbështetura te teknologjia ka nevojë për disa faktorë. Këto kompani mund të kenë nevojë për tregje më të zhvilluara, që garantojnë volume më të mëdha transaksionesh.
Mundësia për të gjeneruar volume më të mëdha rrit edhe mundësitë për të siguruar përfitime nga këto kompani. Përveçse një treg i vogël, Shqipëria ka ende prapambetje për sa i takon edukimit dhe përfshirjes financiare.
Sidoqoftë, përtej këtyre faktorëve Shqipëria ka potenciale të mëdha për zhvillimin e këtij biznesi. Tek ne ka një depërtim të lartë të aparateve smartphone, që mundësojnë marrjen e shërbimeve të mbështetura te interneti. Ky nivel i lartë aksesimi është portë hyrëse për kompanitë fintech që operojnë përmes këtyre shërbimeve.
Një tjetër faktor sigurisht që është kuadri ligjor dhe rregullativ. Për këtë arsye, pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë janë që, nëpërmjet ligjit të ri, kuadri ligjor për operimin e këtyre kompanive të jetë më nxitës.
Në Bashkimin Europian, direktiva e parë PSD 1 u krijua pikërisht për rregullimin e aktivitetit të këtyre kompanive, që po sillnin një zhvillim të madh për tregun. Pritshmëria jonë është që ligji i sapomiratuar t’iu japë hapësira të barabarta të gjitha kompanive në tregun shqiptar, duke përfshirë bankat dhe institucionet financiare ekzistuese, por edhe investitorëve të rinj që mund të shohin mundësi apo oportunitete në këtë treg.
Në terma të konkurrencës, gjykimi ynë, por sigurisht edhe analiza e faktorëve nga vendet e tjerë ku kjo direktivë është aplikuar, është se konkurrenca rritet nëpërmjet aktorëve të rinj. Në momentin që kemi aktorë të rinj dhe alternativa të reja, sigurisht që do të ketë më shumë risi, konkurrencë dhe çmime më të ulëta për përfituesit e këtyre shërbimeve.
Cilat janë shërbimet e reja që do të sjellë ligji “Për shërbimet e pagesave” dhe si pritet të nxisë konkurrencën në këtë treg?
Ligji parashikon një sërë risish. Mund të ketë institucione pagesash të licencuara, rregulluara dhe mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë që do të ofrojnë shërbimin e inicimit të pagesave, pavarësisht vlerës. Gjithashtu do të ketë institucione që do të mundësojnë shërbimin e informacionit mbi llogaritë.
Nëse aktualisht individët mund të kenë llogari në banka të ndryshme dhe për të kontrolluar gjendjen e tyre duhet t’i aksesojnë veçmas, përmes platformave të bankave ku kanë llogaritë. Me këtë shërbim të ri, individët dhe bizneset do të kenë mundësi që t’i aksesojnë të gjitha llogaritë e tyre përmes një platforme të vetme, të sigurtë dhe gjithëpërfshirëse.
Një tjetër risi shumë e rëndësishme është open banking. Kjo është një risi që ka dhënë nxitje të madhe në tregun europian dhe pritet të japë një efekt të tillë edhe në Shqipëri. Kjo do t’iu japë të drejtë institucioneve financiare jo banka të licencuara të kenë akses në informacionet bankare. Me miratimin e ligjit të ri, bankat do të jenë të detyruara të japin akses në këto të dhëna, sigurisht me aprovimin e titullarit të llogarisë dhe vetëm për qëllime të transaksioneve të pagesave.
Cilat mendoni se do të jenë përfitimet më të prekshme për publikun nga ligji i ri?
Publiku do të ketë një gamë më të gjerë alternativash për inicimin, përfitimin dhe monitorimin e shërbimeve të pagesave që kryejnë. Siç e theksova, konkurrenca e shtuar pritet të sjellë përfitime në terma të çmimeve më të lira për përdoruesit. Një aspekt shumë i rëndësishëm i ligjit është se për herë të parë i dedikon një hapësirë në dy kapituj të tij transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Ligji jep përcaktime të qarta sesi një konsumator, i cili ka pretendime për shërbimet që ka marrë, të mund ta adresojë dhe ta ndjekë problemin e vetë tek një strukturë e posaçme në Bankën e Shqipërisë.
Kur do të jetë gati i gjithë kuadri nënligjor që do të mundësojë zbatimin e risive që sjell ligji?
Sigurisht, me miratimin e ligjit puna nuk mund të quhet e finalizuar, përkundrazi ka një punë kolosale që pret më tej për plotësimin e kuadrit rregullativ. Dispozitat parashikojnë që ligji hyn në fuqi gjashtë muaj pas miratimit nga Kuvendi dhe pastaj ka një hapësirë kohore të përcaktuar, brenda të cilës Banka e Shqipërisë duhet të hartojë të gjithë kuadrin rregullativ.
Ky afat do të jetë 12 muaj dhe pastaj ka një afat të mëtejshëm prej gjashtë muajsh që të gjithë institucionet e pagesave, potenciale apo ekzistuese, të aplikojnë, të plotësojnë dokumentacionin dhe të fillojnë aktivitetin për shërbimet e parashikuara nga ligji i ri.
Kuadri rregullator në mbështetje të ligjit do të përbëhet kryesisht nga teknikalitete që lidhen me sigurinë e informacionit, me shkëmbimin elektronik të të dhënave, me autentifikimin e thelluar, etj. Pra, janë dokumente teknike që do të kenë nevojë për kohën e tyre, do të konsultohen me palët e interesit dhe mendoj se do të jenë gati në kohën e përcaktuar, edhe me mbështetjen e çmuar të partnerëve ndërkombëtarë që na kanë asistuar në përgatitjen e ligjit. Mendoj se ky kuadër do të jetë gati në kohë, madje, mbështetur në prioritete, ndoshta edhe më shpejt se afatet e përcaktuara në ligj, me qëllim që institucionet e reja të pagesave të mund të licencohen dhe të fillojnë të operojnë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në muajt e fundit, kufizimet për shkak të epidemisë, sollën një vëmendje më të madhe të publikut për instrumentet e pagesave elektronike. Nga analizat tuaja, ju rezulton një rritje e qenësishme e përdorimit të këtyre instrumenteve dhe a besoni se kjo periudhë mund të shërbejë për përmirësimin e shprehive të konsumatorëve në këtë drejtim?
Ne shpresojmë shumë që sjellja konsumatore e krijuar gjatë muajve të pandemisë të ruhet edhe pasi kjo situatë të ketë kaluar. Sigurisht, do të kishte qenë që këto shprehi t’i kishim fituar që më parë dhe kjo situatë të na gjente më të përgatitur.
Vlen të theksohet se Banka e Shqipërisë mori një vendim për heqjen e përkohshme për transaksionet bankare të inicuara në rrugë elektronike, me qëllim pikërisht për të nxitur përdorimin e pagesave elektronike.
Rënia e aktivitetit ekonomik në këta muaj mund të ketë ndikuar numrin dhe volumin total të transaksioneve. Por, ne vërejmë se pë rata sektorë ku më parë dominonin pagesat cash ka një rritje të ndjeshme të transaksioneve elektronike. Po flasim për ato aktivitete që kanë qenë operative gjatë periudhës së pandemisë, ku përdorimi i kartave apo instrumenteve elektronike të pagesave ka qenë më i lartë.
Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të marrë të gjitha masat e nevojshme që të nxisë dhe t’i bëjë më të përdorura instrumentete e pagesave elektronike.