26 Maj

0 komente

Nis certifikimi i kompanive IT që do të ofrojnë zgjidhje për fiskalizimin

Autor Ersuin Shehu

26 Maj, 2020

kryesore

Këtë muaj ka nisur procesi i certifikimit të kompanive që do të veprojnë si prodhues dhe mirëmbajtës të aplikacioneve për procesin e fiskalizimit. Ky proces do të mbështetet te raportimi në kohë reale i shitjeve nga bizneset, përmes një aplikacioni ose zgjidhje software që bizneset do të mund ta instalojnë në çfarëdo pajisje kompjuterike apo smartphone.

Kriteret e certifikimit të kompanive IT të cilat do të ofrojnë këtë shërbim për bizneset janë përcaktuar në një vendim të Këshillit të Ministrave në muajin mars,

Shoqëritë duhet të kenë objekt të aktivitetit të tyre zhvillimin, mirëmbajtjen dhe shitjen e zgjidhjeve software për teknologjinë e informacionit, ofrimin e pajisjeve fiskale ose shërbimet e telekomunikacionit. Çdo shoqëri aplikuese duhet të ketë qenë aktive të paktën një vit para paraqitjes së aplikimit për certifikim dhe të ketë realizuar mesatarisht jo më pak se 12 milionë lekë qarkullim vjetor në 3 vitet e fundit.

Për t’u certifikuar, shoqëritë duhet të kenë të paktën një punonjës të certifikuar për zhvillim dhe mirëmbajtje infrastrukture, për zhvillim dhe mirëmbajtje rrjeti ose për zhvillim dhe mirëmbajtje aplikacioni mobile.

Në varësi të numrit të tatimpaguesve që do të shërbehen, do të ketë edhe kritere të mëtejshme për numrin e punonjësve që kompania ka pasur të paktën gjashtë muaj para aplikimit. Ndërmarrjet që do t’iu shërbejnë deri 500 bizneseve duhet të kenë të paktën tre punonjës; për t’iu shërbyer deri në 1000 bineseve do të kërkohen pesë punonjës; deri në 5 mijë bizneseve tetë punonjës dhe për t’iu ofruar shërbimin më shumë se 5 mijë bizneseve do të kërkohen së paku 10 punonjës.

Edhe ato kompani që duan të zhvillojnë programin vetëm për nevojat e tyre dhe jo për qëllime shitjeje detyrimisht duhet të certifikohen dhe të regjistrohen.

Ky proces do të përfshijë edhe kompanitë që aktualisht ofrojnë shërbimin e raportimit të të dhënave përmes kasave fiskale. Për ata tatimpagues që do të zgjedhin të vazhdojnë të përdorin kasat fiskale, ofruesi i shërbimit duhet të marrë përsipër këmbim në kohë reale të të dhënave në sistemin e ri të fiskalizimit.

Subjektet e certifikuara do të marrin certifikatën elektronike, e cila do të përmbajë kodin e prodhuesit/mirëmbajtësit dhe kodin e zgjidhjes software, si edhe do të regjistrohen në regjistrin përkatës publik.

Procedura e certifikimit do të kryhet online, pa pagesë, përmes portalit e-albania.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes