Numri i kartave të kreditit të lëshuara nga sistemi bankar shqiptar ka arritur në rreth 111 mijë. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, që nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit shtator 2019, numri i kartave të kreditit është rritur me rreth 5%. Kjo rritje është ndjeshëm më e ngadaltë krahasuar me ritmin e viteve të mëparshme.
Kartat e kreditit aktualisht përbëjnë rreth 9% të totalit të kartave të lëshuara nga bankat në Shqipëri. Mbi 90% e tyre janë karta debiti të lidhura me llogaritë rrjedhëse, që shumica e njerëzve i përdorin thjesht për të tërhequr paratë nga bankomatet.
Ndërkohë, karta e kreditit është një instrument i ndërtuar kryesisht për blerje direkte, përmes terminaleve fizike, në dyqane apo virtuale, në internet.
Ato ngelen një instrument ende pak i zhvilluar në raport me potencialet e tregut, por edhe me produktet e tjera të kredisë konsumatore. Shkalla e ulët e përfshirjes financiare të popullsisë është një faktor që e frenon këtë segment të tregut.
Por, nga ana tjetër, kartat e kreditit ngelen relativisht të shtrenjta, krahasuar me produktet e ngjashme të kredisë konsumatore. Kartat e kreditit kanë kosto më të larta për bankat, të lidhura kryesisht me procesimin e transaksioneve.
Pjesë e strategjisë për pagesat me vlerë të vogël është mundësia e krijimit të një sistemi që do të mundësonte shlyerjen kombëtare të këtyre transaksioneve. Aktualisht, në Shqipëri nuk ka një strukturë kombëtare për shkëmbimin e transaksioneve të pagesave me kartë, kur zotëruesi i kartës bankare e përdor atë për të kryer blerje në terminale POS që i takojnë një banke tjetër.
Pjesa më e pajisjeve të pranimit të këtyre kartave janë “të ndërlidhura”, nëpërmjet rrjeteve përpunuese globale të Visa dhe Mastercard.
Ngritja e një sistemi “switch” kombëtar do të ulte ndjeshëm kostot e kryerjes të pagesave me kartë brenda vendit dhe, eventualisht, do të krijonte hapësira për të ulur komisionet dhe interesat që shqiptarët paguajnë për veprimet e kryera me karta krediti.