Duke filluar nga muaji mars, bankat në Shqipëri duhet të kenë nivele më të larta të kapitalizimit. Muajin e ardhshëm do të hyjnë në fuqi ndryshimet e para të parashikuara në rregulloren “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”, që u miratua nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar.
Shtesat makroprudenciale ndahen në katër kategori, ku një pjesë do të jenë fikse, ndërsa një pjesë do të jenë proporcionale me madhësinë e bankës dhe me ritmet e huadhënies.
Shtesa e parë, që do të aplikohet nga marsi i këtij viti, është shtesa konservuese e kapitalit dhe do të jetë e detyrueshme për të gjitha bankat, pavarësisht nga madhësia e tyre. Shtesa konservuese do të jetë me 0.5% (e shprehur si përqindje e mjaftueshmërisë së kapitalit) në vit, deri në në arritjen e një rritjeje maksimale prej 2.5% në vitin 2024.
Shtesa tjetër që hyn në fuqi qysh këtë vit do të përfshijë vetëm një grup të veçantë bankash, ato me rëndësi sistemike.
Banka e Shqipërisë ka përcaktuar katër banka me rëndësi sistemike, që janë njëkohësisht edhe katër bankat më të mëdha në vend, BKT, Raiffeisen, Credins dhe Intesa Sanpaolo.
Për secilën prej tyre është përcaktuar një shtesë kapitali në raport me rëndësinë sistemike specifike të secilës. Për bankën më të madhe, BKT, që nga ky vit shtesa në mjaftueshmërinë e kapitalit do të jetë 2%, ndërsa për tre bankat e tjera rritja është proporcionalisht më e ulët.
Shtesat e tjera makroprudenciale të parashikuar janë ato kundërciklike dhe shtesat e lidhura me rrezikun sistemik.
Shtesa kundërciklike parashikon një rritje të kërkesave për kapital, në rast se bankat do të rrisin huadhënien me ritme shumë më të larta se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Për vitin 2020, nuk do të aplikohen shtesa kundërciklike të kapitalit, sepse Banka e Shqipërisë nuk gjykon se ekzistojnë ende rreziqe të lidhura me rritjen e shpejtë të kreditimit.
Shtesë tjetër e kapitalit është ajo e lidhur me rrezikun sistemik, e cila mund të ketë një përdorim më të gjerë, në varësi të ecurisë së rreziqeve, në strukturën e veprimtarisë bankare në tërësi ose për banka të veçanta.
Në fundin e vitit të kaluar, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit së sistemit bankar ishte 18.3%, nga 12% që është niveli minimal i kërkuar. Me hyrjen në fuqi të shtesave të reja, nga muaji mars, pritet që raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të kalojë kufirin e 19%.
Kërkesat për shtesë të kapitalit janë në linjë me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse homologe në Europë pas krizës financiare dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare kundrejt rreziqeve të mundshme në të ardhmen.