Që nga viti i ardhshëm, bankat tregtare do të raportojnë vetëm me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS). Kjo kërkesë, e artikuluar prej shumë vitesh nga bankat tregtare, ka gjetur më në fund miratimin e Bankës së Shqipërisë.
Bankat operojnë aktualisht mbi një procedurë të dyfishtë. Ato raportojnë sipas IFRS-ve, që janë edhe standardi ligjor i përcaktuar për këtë kategori biznesi në ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”. Gjithashtu, ky raportim është i domosdoshëm për konsolidimin financiar me grupin bankar zotërues, në rastet e bankave me kapital të huaj.
Nga ana tjetër, bankat vazhdojnë të raportojnë edhe sipas standardeve të mbikëqyrjes, të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë. Mes dy standardeve kanë ekzistuar ndryshime thelbësore, të lidhura sidomos me parimet e përllogaritjes së fondeve rezervë për humbjet nga huatë.
Për shkak të parimeve të ndryshme të ndjekura në provigjionim, dy standardet rezultojnë me diferenca të konsiderueshme në shpenzimet për këtë qëllim dhe, rrjedhimisht, edhe në rezultatin financiar të bankave.
Përcaktues te vendimi për konverguar në një raportim të vetëm ka qenë implementimi i standardit të ri, IFRS 9. Adoptimi i këtij standardi ka përafruar ndjeshëm vlerat e fondeve rezervë me ato të përllogaritura sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë. Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Deralla, shpjegon në një intervistë rrugën që do të ndiqet për kalimin në një standard të vetëm raportimi.
Cilat janë ndryshimet më thelbësore mes standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar dhe standardeve të aplikuara nga Banka e Shqipërisë për qëllime të mbikëqyrjes?
Prej vitesh, bankat në Shqipëri raportojnë me dy set-e raportimi. Një raportim kryhet mbështetur në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar dhe ai kërkohet qoftë nga bankat mëmë, qoftë nga autoritetet lokale, pasi prej tre vitesh edhe taksat paguhen bazuar mbi këtë standard. Bankat përgatisin edhe një set të dytë raportimi për Bankën e Shqipërisë, bazuar në kuadrin rregullator lokal. Ky kuadër lokal, që është në fuqi prej më shumë se 10 vjetësh, sigurisht që shpreh qëndrimin konservator të Bankës së Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë mendon që, trajtimi i një sërë problematikash, që në IFRS konsideroheshin disi subjektive, duhej bërë në mënyrë më të kujdesshme dhe duhej krijuar një rezervë më e lartë për kreditë e këqija, sesa ajo që mund të krijohej bazuar në IFRS. Ndryshimet mes standardeve konsistojnë kryesisht në provigjionet e krijuara për kreditë me probleme, në trajtimin e të ardhurave dhe shpenzimeve nga shitblerja e letrave me vlerë, si edhe në trajtimin e fshirjeve apo nxjerrjeve të kredive jashtë bilancit (write off).
Me hyrjen në fuqi të standardit IFRS 9, para dy vjetësh, u bë e qartë se kishte qenë i nevojshëm krjimi i një provigjioni më të lartë nga sa sa parashikonte standardi i mëparshëm, IAS 39.
Fakti është se, edhe në Shqipëri, një numër bankash krijuan një rezervë më të lartë, qoftë edhe në raport me kërkesat e standardit të Bankës së Shqipërisë. Kjo ishte një ndër arsyet që na shtyu të diskutonim raportimin me një set të vetëm standardesh, atë të IFRS, dhe tejkalimin e raportimit të bazuar në standardet lokale.
Përveç treguesve financiarë, raportimi ndryshon edhe në formë. Nëse në IFRS kemi katër pasqyra financiare dhe më pas një sërë shënimesh shpjeguese, në standardet lokale kemi një sërë raportimesh të lidhura me tregues rregullatorë, si treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit apo me likuiditetin. Por, këto janë kryesisht pasqyra dhe jo shënime narrative.
Këtu do të konsistojë edhe ndryshimi thelbësor faktikisht, pasi do të duhet një riformatim i pasqyrave tona financiare, përmes të cilave bankat do të raportojnë.
Si do bëhet kalimi nga raportimi mbikëqyrës sipas standardele lokale në raportim sipas IFRS-ve?
Hapi i parë është krijimi i një grupi pune të përbashkët mes disa departamenteve në Bankën e Shqipërisë, ku rolin kryesor do ta ketë departamenti i statistikave. Në këtë grup pune do të përfshihen edhe drejtuesit e departamenteve financiare të disa bankave, që kanë eskperiencën e raportimit me IFRS. Ky grup do të dizenjojë çdo hap, deri në arritjen të raportimit sipas standardeve ndërkombëtare.
Objektivi ynë është që në fund të vitit 2020 raportimi të kryhet sërish në të dyja format, por tashmë online, dhe në fund të vitit 2021 të kemi vetëm setin e raportimit sipas IFRS.
Kjo nuk do të thotë se Banka e Shqipërisë nuk do të ketë të drejtë të kërkojë, herë pas here, trajtime të ndryshme për sai përket llogaritjes së provigjioneve për kredi të caktuara. Kjo është një e drejtë që Departamenti i Mbikëqyrjes e ka aktualisht dhe do ta ketë sërish në të ardhmen.
Pasi të kalohet në raportimin unik me IFRS, prisni diferenca domethënëse në ata tregues ku dy standardet kanë diferenca të ndjeshme, kryesisht te provigjionet?
Ndryshimi mes rezervave të krijuara nga bankat sipas IFRS-ve dhe standardeve lokale ka pasur një dallim të qenësishëm. Por, me adoptimin e standardit IFRS 9, ky ndryshim ka ardhur duke u ngushtuar dhe majde katër banka kanë rezerva më të mëdha bazuar në IFRS sesa në standardet lokale.
Tashmë, nuk ekziston më subjektivizmi i standardit të mëparshëm dhe kërkohet një bazë e gjerë të dhënash, që përfshin të gjithë ciklin ekonomik të bankës, përfshi edhe periudhat kur ka pasur nivele më të larta të kredive me probleme, kur rritja e kreditimit ka qenë e lartë, etj.
Të gjitha këto përfshihen në analizën e portofolit me qëllim krijimin e provigjioneve. E gjithë kjo ka bërë që provigjionet e bankave të jenë më të mëdha krahasuar me standardin e mëparshëm dhe të përafrohet shumë me standardet tona lokale, madje në disa raste, siç e thashë, të jenë edhe më të larta.
Pra, në thelb ju mendoni se IFRS 9 e ka zgjidhur problemin e subjektivizmit dhe të diferencave të mëdfha që mund të krijoheshin mes dy standardeve?
Sigurisht. Kjo është edhe arsyeja pse ne kemi vendosur të heqim dorë nga raportimi sipas standardeve lokale dhe të mbështetemi te raportimi sipas IFRS-ve. Mendojmë se me standardin IFRS 9, granatohet ajo qasje më e kujdesshme dhe konservatore që parashikojnë standardet lokale.
Cila është praktika e autoriteteve mbikëqyrëse jashtë Shqipërisë në standardet e raportimit financiar?
Përgjithësisht, në Europë raportimi i bankave, edhe për qëllime mbikëqyrjeje, bëhet bazuar në IFRS. Ka pasur vende jashtë Europës që, ashtu si ne, kanë pasur raportim të dyfishtë, por kjo tendenca ka ardhur gjithnjë duke u reduktuar.
Tashmë, ndryshimi thelbësor konsiston në raportimin sipas IFRS-ve apo sipas standardit Basel 3, sepse ekziston ende një diferencë mes tyre. Megjithatë, është detyrë e Komitetit të Bazelit që t’i përafrojë dhe të garantojë përputhshmëri me IFRS-të.
Çfarë po ndodh me procesin e ekuivalencës së mbikëqyrjes dhe kur mund të finalizohet ai?
Për sa i takon procesit të ekuivalencës dhe kryerjes së tij, ne akoma nuk kemi një datë të përcaktuar. Ky proces do të kryhet nga Autoriteti Bankar Europian, që do të vlerësojë nëse mbikëqyrja e Shqipërisë është në linjë me mbikëqyrjen e bankave në Bashkimin Europian. Kjo do të sjellë lehtësimin e investimeve në Shqipëri për bankat europiane.
Asetet e tyre nuk do të peshohen të gjitha me koeficeintë rreziku 100%, por me një nivel risku të reduktuar. Kjo mund të sjellë më tepër lirshmëri për bankat europiane që punojnë në Shqipëri dhe pse jo, mund ta bëjë tregun tonë më interesant edhe për banka të reja nga me kapital nga vendet e BE-së. Pavarësisht se nuk kemi ende një datë, ne vazhdojmë të përgatitemi për këtë proces.
Të gjitha rregulloret tona të reja po hartohen bazuar dhe në përputhje me legjislacionin europian dhe me normativat e Basel 3. Me përjashtim të dy ose tre rregulloreve që do të ndryshojnë këtë vit, ne kemi adoptuar standardet e Basel 3 dhe bankat tona mbikëqyren bazuar në këtë kuadër. Kjo sigurisht që ka sjellë edhe një përafrim të metodologjisë së mbikëqyrjes për këto banka.
Mendojmë se, në momentin kur do të bëhet vlerësimi i ekuivalencës, ne do të jemi shumë afër objektivit për qenë plotësisht në linjë me mbikëqyrjen e Bashkimit Europian.