Që nga dita e nesërme, Autoriteti i Mbikëqyjes Financiare do të jetë zyrtarisht pa një drejtues. Mandati i drejtorit ekzistues, Ervin Koçi, përfundoi në 24 dhjetor dhe ligji organik i insitucionit i lejon atij të qëndrojë në detyrë deri tre muaj pas mbylljes së mandatit.
Mbarimi i afateve për qëndrimin në detyrë të Ervin Koçit praktikisht e fut në kolaps drejtimin e institucionit, sepse qysh prej një viti edhe posti i zëvendësdrejtorit ekzekutiv është vakant.
Ministria e Financave, që duhet të bëjë propozimin, nuk ka çuar në Kuvend një kandidaturë. Nuk është e qartë si do të veprohet në këtë rast, sepse ligji nuk parashikon mundësinë që institucioni të mund të mbetet pa asnjë drejtues ekzekutiv.
Muajin e kaluar, Këshilli i Ministrave propozoi kandidaturën e Ervin Metes si drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i AMF-së. Ervin Mete mban aktualisht detyrën e kryetarit të Bordit Drejtues, pozicion joekzekutiv dhe me kohë të pjesshme. Por, tashmë Parlamenti e ka ndërprerë punën për shkak të emergjencës së shkaktuar nga përhapja e koronavirusit.
Neglizhenca në emërimin e anëtarëve të organeve drejtuese të institucioneve të pavarura ka marrë përmasa shqetësuese vitet e fundit.
Në fund të vitit 2018, puna e Bankës së Shqipërisë u bllokua për gati dy muaj, sepse Këshilli Mbikëqyrës nuk kishte numrin e mjaftueshëm të anëtarëve për të marrë vendime.
Vetë Bordi i AMF-së prej më shumë se një viti nuk është i plotë, megjithatë së paku ka pasur kuorum të mjaftueshëm për të marrë vendime.
Ligji parashikon se institucioni njofton Kuvendin tre muaj para mbarimit të mandatit të një anëtari të Bordit, në mënyrë për të dhënë kohë të mjaftueshme në procesin e përzgjedhjes së zëvendësuesit. Por, mazhorancës nuk i kanë mjaftuar as gjashtë muaj për të zgjedhur drejtorin e ri i ekzekutiv të AMF-së, ndërkohë që në rastin e zëvendësdrejtorit është thyer çdo rekord neglizhence, me më shumë se një vit mosveprim.