Kur sistemi bankar nisi të vuante një rritje të shpejtë të kredive me probleme, një dekadë më parë, ndërtimi ishte sektori më emblematik i pasojave të krizës dhe optimizmit të tepruar në huadhënie. Tani kreditë me probleme janë ulur në nivele më të menaxhueshme, me një mesatare prej 8.2% për gjithë portofolin e kredisë.
Në veçanti, te kredia për biznesin raporti i kredive me probleme në fund të vitit 2019 ra në 11.3%, nga 15.7% që ishte një vit më parë.
Po të shohim raportin e kredive me probleme sipas aktivitetit ekonomik, vërehet se ndërtimi nuk është më sektori më problematik, madje këtu huatë me probleme janë poshtë mesatares të kredisë për biznesin, në nivelin 9.5%.
Në fund të vitit 2019, sektori me raportin më të lartë të kredive me probleme ishte industria përpunuese. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, kreditë me probleme në këtë sektor ishin 21.3%. Megjithatë, edhe në këtë sektor, ashtu si në shumicën e aktiviteteve të biznesit, stoku i kredive me probleme ka ardhur në rënie gjatë vitit të kaluar.
Pas industrisë përpunuese, sektori me raportin e dytë më të lartë të kredive me probleme është i hotelerisë dhe restoranteve, në nivelin 17%. Ky është i vetmi sektor, së bashku me transportin, që ka regjistruar rritje të kredive me probleme vitin e kaluar. Sektori i tretë që ka një nivel dyshifror të kredive me probleme është tregtia, me 12.5%. Duke qenë se tregtia përbën pothuajse 36% të kredisë totale për biznesin, niveli i kredive me probleme në këtë sektor ka një ndikim të lartë në ecurinë mesatare të këtij treguesi.
Pjesa tjetër e sektorëve të ekonomisë kanë raport të kredive me probleme që tashmë ka zbritur në nivele njëshifrore. Aktiviteti me performancën më të mirë të portofolit të kredisë është industria nxjerrëse, ku raporti i kredive me probleme është vetëm 2.3%.
Sektori me raportin e dytë më të ulët të kredive me probleme është bujqësia, në nivelin 5.3%. Megjithëse një sektor i nënkredituar për shkak të problematikave specifike, fakti është kreditë me probleme në bujqësi janë më të ulëta se në shumicën e sektorëve të tjerë.
Raport relativisht të ulët të kredive me probleme ka edhe energjetika, një sektor që ka njohur rritje të ndjeshme të kreditimit nga sektor bankar vitet e fundit. Raporti i kredive me probleme për energjetikën në fund të vitit të kaluar ishte 5.8%.
Raporti i kredive me probleme sipas sektorëve
Industri pëprpunuese | 21.3% |
Hotele-restorante | 17% |
Tregti | 12.5% |
Ndërtim | 9.5% |
Transport | 6.4% |
Energji | 5.8% |
Shërbime | 5.4% |
Bujqësi | 5.3% |
Industri nxjerrëse | 2.3% |
Mesatarja | 11.3% |
Burimi: Banka e Shqipërisë