Së fundmi, edhe Shqipëria është përfshirë në debatin lidhur me sigurinë e rrjeteve të telekomunikacioneve. Qeveria amerikane ka kërkuar nga Shqipëria, ashtu si nga të gjitha vendet aleate, të mos përdorin pajisjet e kompanive kineze për të zhvilluar rrjetet e gjeneratës 5G. Ky apel ka gjetur mbështetje në deklarimet publike të disa politikanëve shqiptarë, por megjithatë, për momentin vendi ynë nuk ka marrë një vendim për këtë çështje.
Qeveria amerikane mendon se ngritja e rrjeteve 5G nga Huawei, ZTE ose prodhues të tjerë kinezë do t’i ekspozonte shtete ndaj rrezikut të spiunazhit për llogari të qeverisë së këtij vendi. Madje, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka thënë hapur se do të jetë e vështirë që SHBA të ndajë të dhëna sensitive me shtetet që përdorin teknologjinë e kompanive kineze.
Deri tani, nuk është arritur të provohet që i akuzuari kryesor, Huawei, t’i ketë dhënë akses qeverisë kineze në rrjetet e ndërtuara prej saj, megjithatë autoritetet amerikane mendojnë se lidhjet e kompanisë me qeverinë kineze dhe regjimi politik që ekziston këtë vend i bëjnë kompanitë kineze jo të besueshme në kuptimin e sigurisë së informacionit. Nga ana e saj, Huawei shprehet se është ndërmarrje private, me aksionerë kryesorë punonjësit e saj, dhe se qeveria kineze nuk ka asnjë kontroll mbi kompaninë.
Në fillim të këtij viti, autoritetet amerikane kanë hedhur Huawei në gjyq me akuza për mashtrim, shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale dhe thyerje të embargos ndaj Iranit, përmes filialeve të saj në Amerikë.
Ndërsa shqetësimet lidhur me sigurinë e rrjeteve Huawei mund të jenë të ligjshme, ekspertët mendojnë se fushata amerikane ndaj kompanisë kineze është e lidhur edhe me luftën tregtare mes dy vendeve.
Sido që të jetë, kjo çështje ka vendosur shumë vende para dilemës nëse duhet t’ua mbyllin dyert kompanive kinezet për rrjetet e tyre 5G. Deri tani, aleatët më të rëndësishëm europianë të SHBA nuk kanë vendosur ndalime, megjithë presionin e fortë amerikan.
Në muajin tetor, Gjermania vendosi të mos përjashtojë asnjë kompani që do të respektojë standardet e katalogut të sigurisë nga ndërtimi i rrjeteve 5G. Operatorët e telekomunikacioneve në Gjermani e kundërshtuan embargon ndaj Huaweit, duke u shprehur se kjo do të sillte kosto të larta shtesë dhe vonesa të mëdha në kohë për ngritjen e rrjeteve 5G. Por, ndërkohë, institucionet e sigurisë kombëtare në Gjermani, janë më afër qëndrimit amerikan dhe nuk janë shprehur shumë të kënaqur me vendimin e kancelares Merkel për t’ua lënë derën e hapur kompanive kineze.
Në shtator, qeveria italiane miratoi një vendim që i jep të drejtën të ndërhyjë në kontratat e operatorëve privatë për ndërtimin e rrjeteve të telekomunikacioneve; sidoqoftë, deri tani as Italia nuk ka parashikuar ndalime eksplicite për ndërmarrjet kineze.
As Britania e Madhe nuk ka marrë një vendim përfundimtar, për shkak të krizës politike në këtë vend.
Fakti është se Huawei është kompania më e madhe në Botë për prodhimin e pajisjeve për ndërtimin e rrjeteve të telekomunikacioneve. Vitin e kaluar, Huawei raportoi një xhiro prej 107 miliardë dollarësh amerikanë, në rritje vjetore me 20%.
Huawei jo vetëm që ofron produkte konkurruese në çmim, por edhe në teknologji. Aktualisht, Huawei ka 60 kontrata për ngritjen e rrjeteve 5G, nga të cilat gjysmat janë në Europë. Rivalët e kryesorë të Huawei për pajisjet e rrjeteve 5G, për momentin, janë Nokia, Ericsson dhe Samsung.
Një nga avantazhet e Huawei në raport me konkurrentët, veç çmimit, është edhe mundësimi i ofrimit të pajisjeve në formë huaje, që operatorët telefonikë mund ta shlyejnë në harkun e disa viteve. Kjo formulë është përdorur për ngritjen e rrjetit të lëvizshëm të Albtelecom.
Albtelecom është kompania shqiptare që ka përdorimin më të gjerë të pajisjeve të Huawei në rrjetin e saj. Për sa i takon dy kompanive të tjera, Vodafone dhe Telekom Albania, ekspertët thonë se rrjetet e tyre ndërthurin pajisje nga kompani të ndryshme, përfshi edhe Huawei. Sidoqoftë, vetë filiali i Huawei në Shqipëri deklaroi këtë javë se testimi i teknologjisë 5G, kryer së fundmi nga Vodafone, nuk është bërë me pajisjet e kësaj kompanie.
Shqipëria pritet të nisë tenderimin e frekuencave për teknologjinë 5G duke filluar nga viti i ardhshëm. Por, ndalimi i ngritjes së rrjeteve 5G me pajisje të kompanive kineze mund të rrisë kostot e këtij procesi dhe të krijojë probleme të mëtejshme të lidhura me konkurrencën në treg.
Vodafone në vitet e fundit ka forcuar pozitën dominuese dhe është e vetmja kompani që ka aktivitet me fitim. Nëse çmimeve të larta që kërkon qeveria shqiptare për frekuencat do t’i shtohet edhe përjashtimi i ofruesve kinezë të rrjetit, kjo do të vinte edhe më shumë në vështirësi sidomos dy kompanitë e tjera, Telekom Albania dhe Albtelecom.