31 Mars

0 komente

Ndalet sprinti i euros

Autor Ersuin Shehu

31 Mars, 2020


Euro ka ndalur më në fund sprintin e frikshëm që kishte nisur pas shpërthimit të krizës së COVID 19. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të martën me 130.66 lekë, pasi të hënën kishte arritur vlerën e 131.06 lekëve, niveli më i lartë në gati dy vjet.

Duke parë ritmet tejet të larta me të cilat po rritej euro në ditët e fundit, është e arsyeshme të mendohet që frenimi i sotëm të jetë ndikuar nga një ndërhyrje e Bankës së Shqipërisë për të qetësuar tregun valutor.

Pas mbylljes së kufijve për shkak të epidemisë së COVID 19, ekonomia shqiptare u përball me një reduktim drastik të flukseve hyrëse valutore, sidomos në pjesën e lidhur me turizmin. Në krahun e kërkesës, paniku i epidemisë solli rritje të shpejtë të shitjeve të mallrave të konsumit, duke ndikuar rrjedhimisht në shtimin e importeve të reja të këtyre mallrave.

Gjithashtu, operacionet monetare të Bankës së Shqipërisë besohet se e kanë rritur ndjeshëm ofertën e lekut në treg, çka në teori duhet të ketë ndikuar më tej në zhvlerësimin e monedhës vendase.

Por, ndoshta rreziku edhe më i madh në këto raste është paniku dhe krijimi i pritshmërive te aktorët e tregut. Në këtë rast, pritejet për një mbiçmim të mëtejshëm të euros nxisin më shumë kërkesën për të, duke krijuar presione të mëtejshme mbiçmuese.

Një fenomen i tillë u vërejt në vitin 2018, por në kahun e kundërt. Zhvlerësimi i shpejtë i euros bëri që shumë njerëz të nxitoheshin për të shitur, duke e futur kursin në një vorbull nënçmimi që u ndërpre vetëm ne ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë.

Nënçmimi i monedhës mund të vendosë më shumë nën presion buxhetet e familjeve dhe bizneseve shqiptare, në kushtet kur bllokada për të kontrolluar epideminë pritet të shkaktojë ulje drastike të të ardhurave në ekonomi.

Shqipëria ka një deficit të thellë tregtar në mallra, që për vitin e kaluar ishte 350 miliardë lekë. Zhvlerësimi i shpejtë i lekut do të shkaktonte zgjerim të deficitit dhe shtrenjtim të importeve, me pasojë rritje të ndjeshme të kostos së jetesës dhe ulje të fuqisë blerëse.

Rreziqet e nënçmimit të lekut lidhen edhe me nivelin e lartë të euroizimit të brendshëm të ekonomisë shqiptare. Në fund të vitit të kaluar, kredia në valutë përbënte mbi 51% të portofolit të sistemit bankar.

Forcimi i euros rrit vlerën e këstit të kredisë për huamarrësit me të ardhura në lekë dhe mund të përkeqësojë cilësinë e portofolit të kredisë së sistemit bankar. 

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes