Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) po shënon rekorde të reja në mosfunksionimin e institucionit. Këshilli Drejtues i entit rregullator të sektorit të telekomunikacioneve nuk ka marrë as edhe një vendim prej më shumë se katër muajsh. Në fakt, çështjet pezull që presin adresim nga rregullatori nuk mungojnë; disa prej tyre po zvarriten prej vitesh.
Në fillim të shkurtit, shtrenjtimi i njëkohshëm i paketave ofertë nga të tre operatorët celularë shkaktoi pakënaqësi në publik, çka vendosi në lëvizje Autoritetin e Konkurrencës, që më datë 14 shkurt vendosi hapjen e një hetimi paraprak dhe njëkohësisht urdhëroi si masë të përkohshme pezullimin e paketave të reja mujore deri në përfundim të hetimit.
Aktualisht, tregu me pakicë i shërbimeve celulare nuk është nën rregullim dhe, në këto kushte, AKEP nuk mund të ndërhyjë në vendosjen e çmimeve. Operatorët kanë detyrim vetëm të njoftojnë rregullatorin për ndryshimin e çmimeve apo kushteve të paketave.
Sidoqoftë, Autoriteti i Konkurrencës prej vitesh tashmë po kërkon në mënyrë këmbëngulëse nga AKEP vendosjen në rregullim edhe të tregut me pakicë dhe shpalljen e operatorit Vodafone Albania si operator me fuqi të ndjeshme në këtë treg. Kjo do t’i bënte tarifat me pakicë të Vodafone subjekt rregullimi nga AKEP.
Megjithëse AKEP nuk ndërhyn në vendosjen e çmimeve me pakicë të telefonisë celulare, me të drejtë pas shtrenjtimit të paketave pritej një reagim publik nga ky institucion, për të sqaruar përdoruesit lidhur me rolin dhe detyrat e veta ligjore. Por, nga AKEP nuk doli as edhe një fjalë e vetme, duke mos thyer heshtjen fanatike disamujore të këtij institucioni.
Pavarësisht se AKEP, mbështetur në rregullimet ekzistuese, nuk ndërhyn në tregun me pakicë, ky institucion ka një rol të rëndësishëm në garantimin e konkurrencës, përmes rregullimit të tregjeve me shumicë.
Kjo bëhet përmes kryerjes së analizave periodike dyvjeçare dhe marrjes së masave rregullatore të mbështetura në to. Por, analizat e fundit të tregut të telefonisë celulare janë miratuar qysh në vitin 2014.
Pas shumë polemikash dhe një lufte lobimesh nga operatorët, në prill të vitit të kaluar, Këshilli Drejtues miratoi për konsultim publik analizat e tregut me shumicë të terminimit të thirrjeve dhe të akses-origjinimit të tyre. Por, megjithëse konsultimi publik është mbyllur në qershor 2019, organi drejtues i AKEP ende nuk i ka miratuar analizat finale, së bashku me masat përkatëse rregullatore.
Zvarritja e vendimeve për rregullimin e tregut të shumicës mund të dëmtojë rëndë konkurrencën dhe interesin publik, në një periudhë kur ulja e numrit të operatorëve ka sjellë rritje të çmimeve për përdoruesit me parapagesë të telefonisë celulare.
Masat rregullatore në tregjet me shumicë të aksesit dhe origjinimit do të adresojnë për zgjidhje problemet e konkurrencës, duke nxitur hyrjen e operatorëve të rrjeteve virtualë (MVNO). Që prej vitit 2018, operatorët Neofone dhe Digicom kanë paraqitur kërkesë në AKEP për të operuar si MVNO, por ende nuk kanë marrë përgjigje.
Në kushtet aktuale, operatorët MVNO janë ndër shpresat e pakta për të sjellë konkurrencë të shtuar në tregun ceular në Shqipëri. Këto operatorë janë të pranishëm në shumicën e tregjeve eutopiane dhe pjesa e tyre e tregut në disa raste arrin deri në 15%.
MVNO-të janë operatorë që ofrojnë shërbime mbështetur në rrjetin e operatorëve të tjerë (MNO). Por, Shqipëria ende nuk ka një bazë rregullatore që t’i detyrojë operatorët e rrjeteve t’iu japin akses në rrjetet e tyre operatorëve MVNO. Mungesa e një rregullimi të tillë ka bërë që Shqipëria të jetë ndër të paktët tregje ku nuk ka ende operatorë MVNO.
Garantimi një rregullimi të tillë është detyrë e AKEP; një nga detyrat e shumta që ky institucion duket se i ka harruar.