Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi të enjten ligjin “Për Shërbimet e Pagesave”, që pritet të sjellë një revolucion në funksionimin e tregut të pagesave në Shqipëri. Ligji në fjalë transpozon direktivën e dytë të Bashkimit European “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm” (PSD 2) si dhe është një hap për integrimin me tregun e përbashkët të pagesave në euro, çka hedh themelet për të ndërlidhur tregun shqiptar dhe atë europian të pagesave.
Ky ligj pritet të ndihmojë ndjeshëm në modernizimin dhe zhvillimin efikas të tregut vendas të pagesave. Sot shqiptarët mund të kryjenë pagesa nga llogaritë e tyre bankare vetëm duke e marrë shërbimin e pagesës nga banka ku kanë llogarinë.
Ligji i ri përcakton se shërbimi mund të merret edhe nga kompani alternative të pagesave, të profilit fintech, duke përdorur direkt llogarinë bankare, ku banka do të jetë e detyruar të japë akses.
Ai parashikon ofrimin e shërbimeve të informimit mbi llogarinë dhe të inicimit të pagesave, dy koncepte të reja për tregun financiar shqiptar. Shërbimi i informacionit mbi llogarinë mund të ofrohet nga institucionet e pagesave ose nga palë të treta, që do të mundësojnë bashkimin dhe qendërzimin e informacionit për të gjitha llogaritë që përdoruesi mund të ketë në banka të ndryshme.
Institucionet e inicimit të pagesave do të mundësojnë nisjen dhe kryerjen e një pagese pa qenë nevoja që klienti ta bëjë domosdoshmërisht këtë në bankën ku ka llogarinë.
Pritet që përfshirja e këtyre aktorëve të rinj në treg të shtojë konkurrencën, por edhe të nxisë më tej inovacionin. Risi tjetër e ligjit është edhe koncepti i agjentit bankar. Aktualisht, bankat në Republikën e Shqipërisë mund të veprojnë me degë dhe agjenci, ndërsa ligji i ri do t’iu japë mundësinë që ato të mund të operojnë edhe nëpërmjet agjentëve, për të zgjeruar rrjetin e tyre dhe aksesin e publikut në shërbimet financiare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rregullat e reja të përcjella nga ligji kanë për objektiv promovimin dhe zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës, reduktimin e kostove të këtyre shërbimeve dhe rrjedhimisht dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.
Këto objektiva synohen të arrihen nëpërmjet një kuadri ligjor që synon paanshmëri dhe proporcionalitet në licencimin dhe rregullimin e ofruesve të shërbimit të pagesave; promovimin e modeleve inovative të biznesit, të cilat lehtësojnë përdorimin për palët e treta dhe burime nga jashtë; forcimin e bazës ligjore mbikëqyrëse të BSH-së për shërbimet e pagesave; krijimin e një kuadri për mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë mekanizmat monitorues dhe detyrues, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë efektive.