Mbyllja e ekonomisë si pasojë e epidemisë së Covid 19 ka dhënë pasojat e veta edhe në tregun e sigurimeve. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për muajin mars primet e shkruara bruto pësuan rënie me 42% krahasuar me marsin e vitit 2019.
Rënia e marsit e përkeqësoi bilancin progresiv dhe për tremujorin primet ranë me 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tregu pësoi rënie në shumicën e klasave të sigurimit, por goditjen kryesore e ka dhënë grupi më i rëndësishëm, ai sigurimeve motorrike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Sigurimi i brendshëm i mjeteve pësoi rënie me 42% për marsin.
Në kushtet e kufizimit të lëvizjes, shumë prej drejtuesve të mjeteve që duhet ta përtërinin sigurimin vjetor gjatë muajit të kaluar nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Rënia ishte më e thellë tek kartoni jeshil dhe tek policat e sigurimit kufitar, ccka është e natyrshme pas mbylljes së kufijve.
Një tjetër klasë sigurimi që pësoi rënie të fortë, me rreth 75%, ishte sigurimi i aksidenteve, edhe ky produkt i lidhur ngushtë me udhëtimet jashtë vendit.
Në mënyrë suprizuese, të paktat zhvillimeve pozitive erdhën nga sigurimet vullnetare. Primet e sigurimit nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore u rritën me 25%, ndërsa ato nga sigurimi i shëndetit u rritën me 40%.
Nga tetë shoqëri të sigurimit të jo-jetës, vetëm Albsig regjistroi rritje të primeve për muajin mars. Kjo me shumë të ngjarë lidhet me një numër të kufizuar kontrata sigurimi të bizneseve në vlerë të madhe.