11 Dhjetor

0 komente

Maturimi i tregut bankar në Shqipëri

Autor editor

11 Dhjetor, 2021

kryesore

Genti Kuburi

Analist financiar

Industria bankare është një komponent kritik dhe i brishtë i ekonomive moderne. Bankat në tërësi kanë një levë financiare të lartë dhe kryesisht varen nga sjellja e investitorëve dhe klientëve. Sot bankat nuk janë më thjesht institucione ndërmjetësimi të cilat bëjnë transferimin e fondeve nga njësitë suficitare në ato deficitare (SSU-DSU). Bankat sot kanë karakter universal dhe modern. Ato përfshihen në një varietet aktivitetesh, që kryesisht përfshijnë: huamarrjen, huadhënien, nënshkrimin & shitjen e Letrave me Vlerë, shërbimet e pagesave, manaxhimin e aktiveve, tregtimin e pasurive të paluajtshme & brokerimi.

Sistemi bankar në Shqipëri monitorohet, kontrollohet dhe mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë. Ky proces është zhvilluar dhe perfeksionuar me kalimin e viteve. Në kushtet e një ekonomie te lire, do flisnim per një konkurencë bankare të lartë e cila do të sillte mbase dhe ulje të kostove të kredisë, por mbase dhe zgjerim të operimit bankar në Shqipëri. Por pse nuk ndodh kjo? Në konkurencën e lirë ndodh dhe fenomeni mëse normal, që është: FALIMENTIMI. Kush nuk di të përshtatet me tregun apo me kërkesat e tregut, del në plan të dytë dhe biznesi i falimenton. Por, në sistemin bankar falimentimi është një ndër pikat më nevralgjike sepse prek jo vetëm bankat e tjera, jo vetëm bizneset dhe klientët e bankave, jo vetëm individët, por prek të gjithë ekonominë duke arritur deri në dëme financiare shtetërore. Reaksioni zinxhir do kishte përmasa shumë negative.

Në ktë aspekt mund te themi se sistemi bankar shqiptar me maturimin e arritur, shfaq doza shumë të ulëta të konkurrencës së lirë. Ambicja mbetet më shumë për ato banka të cilat duan të përfitojne nga mundësitë e shkrirjes apo blerjeve në treg. Numri i bankave do vi në rënie, kjo si pasojë e shumë shkaqeve por edhe si shkak e maturimit të tregut. 16 banka në Shqipëri ishin realisht shumë. Por sa është shumë dhe sa është pak? Kush është mesi i artë? Kjo është një dilemë e cila nuk do të zgjidhet asnjë herë! Nëqoftëse do krahasohemi me rajonin, kemi një penetrim bankar më të ulet sesa Serbia, Kroacia, Greqia dhe vendet e tjera, përvec Malit të Zi dhe Kosovës. Por në krahun tjetër, mbipopullimi bankar sjell dhe evidentimin e teknikave jo konvencionale të të bërit biznes. Ndër teknikat më të pikasura, janë: ofrimi i kredisë me kërkesa minimale por me kushte jo të favorshme (kërkesë e ulët dokumentacioni dhe interes i lartë), manipulimi i shumave të dhena kredi për qellime personale të personelit të përfshirë në kredidhënie, mos analizimi dhe evidentimi i gjëndjes reale financiare të kredimarrësit etj.

Teknikat e sipërpërmendura janë ato të cilat sollën një flluske të madhe në sektorin bankar në Shqipëri, duke arritur dhe në nivele rekord të NPL (Non-Performing Loans). U deshën shumë masa shtrrënguese nga Banka e Shqipërisë dhe një rimodelim i brendshëm i kredidhënies nga vetë bankat që situata të stabilizohet dhe të kthehet në norma të pëlqyeshme.

Sot Banka e Shqiperise përdor teknika të sofistikuara (të adaptuara nga vendet e zhvilluara por edhe nga Banka Qëndrore Europiane) në lidhje me menaxhimin e stresit bankar. Fonde të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe gjithashtu sigurimi i depozitave nga ASD bëjnë të mundur të kemi kreditibilitet të shtuar në sistemin bankar në Shqipëri.

A vazhdon të jetë i lartë numri i bankave?

Vitet e fundit jo vetëm në Shqipëri por kudo nëpër botë dhe kryesisht nëpër Europë vërehet fenomeni i bashkimit bankar ose blerjes së bankave relativisht më të vogla nga ato më të medha. Kjo bëhet për një pafundësi arsyesh, por ndër më dominantet është zënia e një pjese më të madhe të tregut. Rritja organike e peshes së tregut për një bankë kerkon sforcim maksimal në aftësitë e saj duke kërkuar dhë injektim kapitali nga aksionerët, kërkon operim financiar të biznesit në nivel super të mirë dhe gjithashtu kërkon kohë. Koha është një ndër faktorët më të rëndësishëm në tregjet financiar. Mënyra alternative për të pasur një peshë tregu më të madhe është edhe shkrirja ose blerja e bankave. Së fundmi, OTP Bank Albania, konfirmoi blerjen e Alpha Bank për vlerën e 55 MIO Euro. Ky transksion pritet të mbyllet definitivisht brenda mesit të vitit 2022. Por cfarë do të sjellë kjo lëvizje në tregun bankar shqiptar dhe cfarë impakti do të ketë për aktorin kryesor në këtë marrëveshje që është OTP Bank.

Nuk ka formulë për të bërë blerje të suksesshme!

OTP Bank Albania po kthehet në një faktor determinant në realitetin bankar shqiptar. Blerja e Societe Generale ishte një mesazh shumë i qartë për konkurencen. Vijmë me synime të forta për zgjerim dhe për të qënë aktor kryesor në treg. Shumë raporte dhe indikatorë priten të ndryshojnë për OTP Bank. Në baze të të dhënave zyrtare sipas IFRS nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) për shtator 2021, vërejmë se OTP Bank nëpërmjet kësaj lëvizjeje do të konsolidonte vendin e pestë në sistem, por me një peshe më të lartë të tregut: 10.8% nga 6.2%. Do ishte shumë pranë tejkalimit në pozicion të katërt ku qendron ISP. Në krahun e kredidhënies, do zinte vendin e dytë me 16.22% nga i 4-ti që ndodhet aktualisht me peshën 10.4%. Në krahun e Depozitave, do mbetej në pozicionin e 5 por me një peshë tregu në rritje nga 6.5% në 11.36%.

Cfarë mund të tregojnë këto indikatorë për publikun e gjerë, për analistët dhe specialistët bankar? Një fjalë e vjetër thotë: URIA vjen duke NGRËNE. Kjo uri mund të të udhëheqë në zmadhim dhe dominim, por dhe mund të të kthehet si boomerang nëqoftëse nuk është e mirë kalkuluar. Ne një këndvështrim tjetër, impakti do jetë super pozitiv. Edhe në rezultatet empirike për ngjarje të ngjashme të mëparshme, impakti ka qene gjithmonë pozitiv. Imazhi vjen duke u kuruar, përqasja në treg vjen duke qenë më e orientuar drejt madhështisë dhe sjellja ndaj klientëve ndikohet nga fakti qe respekti fitohet me rritjen e peshës në treg.

Efekti domino

Nëqoftëse shfaqesh si i interesuar dhe vepron si i tillë, efektet vijnë njëra pas tjetrës. Për shumë vite, Shqipëria është karakterizuar nga stanjacioni në disa drejtime. Në politikë, në organizime, në shkollim, në media, në sektorin bankar etj. Fryma e re ndikon në tejcimin e besueshmërise dhe nxitjes së lëvizjes së klientëve. Nëqoftëse shumë banka po e zvogëlojnë peshën e tregut duke rimenduar pozicionin e tyre strategjik në Shqipëri, OTP Bank po bën të kundërtën.

Duke kryer një analizë sasiore mbi situatën e bankës, blerja e Alpha Bank do të sillte këto rezultate:

  • Nga 467(9.4%) në 874(13.2%): do kthehej në bankën e 4 për numrin e punonjësve në sektorin bankar. Kjo shifër nuk do ishte definitive, pasi blerjet shoqërohen me mbivendosje pozicionesh por edhe me largime nga puna për efekt të mbylljes së shumë degëve (korrigim strukturor dhe operacional).
  •  Nga 39(9.4%) në 73(17.59%): në vendin e dytë për numrin e degëve në sektorin bankar.

Edhe kjo si shifër nuk do ishte definitive pasi shumë degë mund të rezultojnë në vende të afërta dhe do kishte mbivendosje. Një ndër aspektet më positive në sensin e raporteve cilësore, do ishte dhe raporti i Kredive/Depozitat. OTP Bank aktualisht qëndron në nivelin 67.88% dhe do të shkonte në 61.1%. Ky indikator është goxha në fokusin dhe vëmendjen e menaxhimit të Riskut. Gjithsesi banka do mbetej në TOP 3 bankat me raportin më të lartë: Procredit Bank 100%, UBA 69%. Mjaftueshmëria e Kapitalit (C.A.R) do mbetej në nivele pothuajse të pandryshuara, nga 15.93% në 15.74% (që është në përputhje me kërkesën minimale të Bankes së Shqipërisë prej 12%).

Banka do të përballet dhe me kosto të tjera që vijnë nga blerja. Arritja e sinergjisë gjithmonë krijon kosto. Disa kosto janë të dukshme si: mbyllja e degëve dhe shpërblimet që duhet tju paguhen punonjësve që do të largohen nga puna, për kontributin e dhënë në bankë ndër vite. Edhe kostot e tjera mund të listohen. Kështu do të jetë kosto e fushatës së marketingut, ku emri dhe imazhi do jetë i njëjtë kudo. Kostot e integruara të Sistemit të Informacionit, si dhe ritrajnimi i punonjesve duhet te merrem gjithashtu parasysh.

Në një aspekt tjetër, do ishte interesante dhe përzierja e klientëve dhe frymave që mbartin bankat në vetvete. OTP Bank zotëron frymën e një shteti në Europën Qendrore siç është Hungaria, por mbart dhe klientë apo frymën e trashëguar franceze nga Societe Generale. Ndërkohë, Alpha Bank mbart frymën e një shteti fqinj sic është Greqia, të cilët kanë shumë tradita dhe eksperiencë bankare. Do ishte një mix me të vërtetë për tu parë me vëmëndje. Një lloj i vecantë i diversifikimit në fakt. Me këtë lëvizje, mund të thuhet me bindje të plotë së pozicionimi i OTP Bank në sistemin bankar shqiptar do jete kyc. Do merrte goxha vlerë dhe terminologjia e përdorur nga Banka e Shqipërisë, BARS (Banke më Rëndësi Sistemike).


Impakti në tregun bankar shqiptar dhe konkurenca

Me këtë lëvizje tregu bankar do konsolidohej akoma më tepër, në njënjë banka nga një6 që ishte numri më i lartë. Ky konsolidim po vjen me ritme të shpejta pasi shkrijet dhe blerjet e bankave po ndodhin në afate kohore të shkurtra. Kryesisht bankat ecin me plane strategjik afatmesëm që variojne nga 3-5 vjet. Mesatarisht 4 vjet është plani strategjik afatmesëm i cili përkon me vitin aktual 2021 deri në vitin 2025. E ardhmja bankare ndikohet shumë dhe nga zhvillimet politike, gjeografike, sociale por edhe teknologjike. Janë pikërisht këto të fundit që po e ridimensionojne sistemin bankar dhe atë financiar. Me rritjen e përqasjes digjitale do kemi më tepër degë bankash pa staf (self-service) dhe shkurtime të numrit të personelit. Cdo investim teknologjik do sillte rënien e nevojës për forcë punëtore humane, cka do të sillte dhe uljen e kostove që mbart banka për çdo person që punëson. Tregu shqiptar është në evolim dhe shumë banka me pronësi europiane po e monitorojne situatën nga afër për të parë dhe lëvizjet e rradhës duke u orientuar në uljen e ekspozimeve dhe kostove. Viti 2022 do sjellë dhe ngjarje të reja në një treg që zhvillohet vazhdimisht!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes