Sektori i shoqërive të kursim-kreditit vitin e kaluar arriti përmasat e 10.9 miliardë lekëve ose rreth 88 milionë euro. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se se aktivitet e shoqërive të kursim kreditit u rritën me pothuajse 17% për vitin e kaluar. Rreth 70% e aktiveve të këtij sektori janë kredi të dhëna për anëtarët. Subjekti më i madh në treg është Fed Invest me rreth 55% të totalit të aktiveve, i ndjekur nga Alb-Progress me 11% të tregut.
Në fund të vitit të kaluar, portofoli i kredisë bruto të dhënë nga SHKK-të arriti në afërsisht 8 miliardë lekë, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë. Megjithëse në vlerë portofoli i SHKK-ve është vetëm sa 1.3% e portofolit të kredisë së sistemit bankar, ky sektor ngelet i rëndësishëm sidomos për financimin e fermerëve dhe bizneseve të vogla në zonat rurale.
Treguesi i kredive me probleme për SHKK-të u përmirësua gjatë vitit të kaluar dhe ra në 4.7%, 0.3 pikë përqindje më pak krahasuar me vitin 2018. Ndikimin kryesor në uljen e raportit të kredive me probleme e dha rritja sasiore e portofolit të kredisë.
Gjatë vitit 2019, shoqëritë e kursim-kreditit raportuan një rezultat financiar fitimprurës në vlerën e 116 milionë lekëve ose rreth 940 mijë eurove. Fitimi i sektorit u rrit me 3% kundrejt vitit 2018.
Aktualisht, Banka e Shqipërisë ka licencuar 14 SHKK dhe një union të tyre. Megjithëse ligji kërkon përfshirjen e tyre në skemën e administruar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, pjesa më e madhe e tyre ende nuk e ka përmbushur këtë detyrim. Numri i SHKK-ve të përfshira në skemën e sigurimit të depozitave është vetëm shtatë. Deri tani, ndaj tyre nuk janë ndërmarrë sanksione rregullative.
Departamenti i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë bën të ditur se po vijon të ndjekë SHKK-të të cilat janë të licencuara, por të paanëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave, me qëllim marrjen e masave në drejtim të tyre.