28 Dhjetor

0 komente

Lufta e klaneve brenda mazhorancës rrezikon të bllokojë sërish AMF-në.

Autor Ersuin Shehu

28 Dhjetor, 2019


Neglizhencat në emërimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura po bëhen “rrugë”. Që prej datës 24 dhjetor, mandati i drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi, ka përfunduar. Pavarësisht nga kjo, procedurat për të rinovuar mandatin e tij ose për të zgjedhur një pasues nuk kanë nisur ende, megjithëse ligji kërkon që këto procedura të nisin tre muaj para përfundimit të mandatit në fjalë.

Situata mund të bëhet edhe më problematike, sepse prej shumë muajsh AMF-ja nuk ka as zëvendësdrejtor ekzekutiv. Në muajin shkurt, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë votoi konfirmimin në detyrë të zëvendësdrejtores së mëparshme, Mimoza Kaçi. Por, për shkak të përplasjeve brenda mazhorancës, kandidatura e saj nuk u votua në seancë plenare. Përveçse u krijua një situatë e sikletshme dhe jo serioze për institucionin e Kuvendit, nga kjo “estradë” ngeli një vakancë që edhe sot nuk është plotësuar.  

Kuvendi nuk ka zgjedhur një zëvendësues, sepse Ministria e Financave, që duhet të bëjë propozimin, nuk ka çuar ende një kandidat. Një situatë identike ndodhi edhe me përzgjedhjen e kryetarit të Bordit. Mazhoranca ishte e orientuar drejt konfirmimit të Pajtim Melanit, por, për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, procesi u bllokua, derisa në muajin shtator u emërua në këtë pozicion Ervin Mete. Ndërkohë, pozicioni i kryetarit të Bordit Drejtues ngeli bosh për disa muaj.

Tani që edhe mandati i drejtorit Ervin Koçi ka përfunduar, AMF-ja rrezikon të gjendet së shpejti pa asnjë drejtues ekzekutiv, çka do të paralizonte punën e institucionit.

Ervin Koçi mori detyrën e drejtorit të përgjithshëm në 6 prill 2017, duke zëvendësuar drejtoren e shkarkuar nga Kuvendi, Enkeleda Shehi. Megjithëse ligjërisht anëtarët e Bordit duhet të qëndrojnë në detyrë për pesë vjet, mandati i Ervin Koçit konsiderohet si vazhdim i atij të drejtores së mëparshme dhe, rrjedhimisht, përfundoi në fund të këtij viti.

Sipas ligjit “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, anëtari i Bordit, që do të mbajë funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, emërohet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, pas një procedure përzgjedhëse.

Anëtarët e Bordit mund të qëndrojnë në detyrë edhe tre muaj pas përfundimit të mandatit. Kur edhe ky afat tejkalohet, atëherë në Bord krijohet boshllëk, që mund të bllokojë vendimmarrjen. Një precedent i tillë u regjistrua në Bankën e Shqipërisë në fund të vitit 2017, kur vendimmarrja në Këshillin Mbiëkqyrës u bllokua për rreth dy muaj.

Bordi Drejtues i AMF me ligj duhet të ketë 5 anëtarë, por pozicioni që i takon zëvendësdrejtorit ekzekutiv ka ngelur vakant që nga fillimi i vitit.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes