27 Shkurt

0 komente

Ligji për sigurimin e detyrueshëm, lobi i siguruesve fiton sërish. Fondi i Kompensimit ngelet brenda Byrosë, hiqet kufizimi i shpenzimeve administrative.

Autor Ersuin Shehu

27 Shkurt, 2020


Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm motorrik pritet të miratohet këtë vit, pas një maratone zvarritjesh pothuajse pa precedentë. Dy drafte të përgatitura dhe të hedhura për konsultim nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në pesë vitet e fundit nuk kanë mjaftuar për të arritur në një ligj të ri dhe kanë humbur sirtarëve, kryesisht për shkak të presionit dhe lobimit nga kompanitë e sigurimeve.

Edhe projektligji i fundit, i paraqitur nga AMF-ja në vitin 2018 është ndryshuar përsëri, ndonëse as AMF-ja dhe as Ministria e Financave nuk kanë nxjerrë ende një variant të ri për konsultim publik. Ndryshe nga sa parashikohej në draftin e propozuar nga AMF në 2018, Fondi i Kompensimit nuk do ndahet nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve.

Fondi do të vazhdojë të funksionojë brenda Byrosë, por risia e ligjit të ri do të jetë ndarja e llogarive të Fondit të Kompensimit dhe Kartonit Jeshil. Drejtimi i Byrosë në thelb do të vazhdojë të bëhet mbi parimet aktuale, kur kryetari propozohet nga siguruesit dhe miratohet nga AMF-ja.

Në variantin e mëparshëm të projektligjit, ishte propozuar që Fondi i Kompensimit të funksiononte si Ent i veçantë dhe kryetari të emërohej nga AMF-ja.

AMF-ja duket se ka dështuar të vendosë një limit për shpenzimet administrative në tërësi, që sipas projektligjit të propozuar në vitin 2018 duhet të kufizoheshin në masën 40% të primit të shkruar bruto.

Niveli i lartë i shpenzimeve administrative është një paradoks në tregun shqiptar të sigurimeve, me kompanitë që praktikisht shpenzojnë më shumë për marrjen në sigurim dhe ëpr shpenzime administrative, sesa për të paguar dëme.

Në muajin shkurt, Kosova ndërmori masa të forta rregullatore, duke i kufizuar këto shpenzime në 24%. Në Shqipëri, AMF-ja nuk ka arritur të gjejë mbështetje as për t’i kufizuar këto shpenzime në masën 40%, të paktën në segmentin e TPL-ve.

I vetmi kufizim që do të ngelet edhe në variantin e ri të projektligjit është ai për komisionet e agjentëve, që nuk duhet të jenë më shumë se 12% e primit. Megjithatë, kompanitë e sigurimeve nuk e pranojnë as këtë kufizim dhe po kërkojnë nga Ministria e Financave heqjen e tij nga projektligji.

Komisionet e ndërmjetësimit shpeshherë arrijnë në nivele shumë të larta, edhe përtej 20%. Nivelet e lartë të komisioneve iu krijojnë agjentëve hapësira për të konkurruar me ulje çmimesh, duke i ofruar blerësit vlera më të ulëta se ato që shkruhen në policë.

Konkurrenca me komisione shpehsherë e ka future tregun e produktit në fjalë në spirale kaotike dhe kjo është arsyeja pse AMF-ja ka propozuar vendosjen e kufizimeve.

Një tjetër objekt debati mes AMF-së dhe siguruesve është rritja e kufijve të dëmit.  Sipas projektligjit, kufiri minimal i përgjegjësisë për mjetet e transportit publik arrin në mbi dy milionë euro për ngjarje sigurimi.

Për çdo pasagjer që humbet jetën, vlera minimale e dëmshpërblimit do të jetë 2 milionë lekë, ndërsa nëse aksidenti shkakton paaftësi të përhershme për punë, i dëmtuari përfiton 4 milionë lekë dëmshpërblim.

Kompanitë e sigurimeve shprehen një rritje e tillë mund të përballohet vetëm duke rritur primet, çka do t’i vinte kompanitë në vështirësi, për shkak të fuqisë së dobët blerëse dhe zhvillimit të ulët të tregut.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes