Projektligji që synon të ligjërojë përdorimin e kriptomonedhave në Shqipëri ka nisur procedurat e miratimit në Kuvendin e Shqipërisë. Dokumenti në fjalë u prezantua nga qeveria shqiptare në tetor të vitit të kaluar dhe do ta bëjë Shqipërinë një ndër vendet e para që e rregullon me ligj tregtimin e kriptomonedhave.
Ligji i ri do të rregullojë gjithë infrastrukturën mbi bazën e së cilës funksionon teknologjia e regjistrave të shpërndarë, duke vendosur kushtet për licencimin, ushtrimin e aktivitetit të operatorëve dhe bursave, mbikëqyrjen e tyre, kushtet për emetimin e tokeneve digjitale dhe monedhave virtuale.
Gjithashtu, ai do të përcaktojë rregullat për tregtimin e këtyre aktiveve, ofruesit e shërbimeve të kujdestarisë për palët e treta, si dhe parandalimin e praktikave abuzive në treg, përmes masave që nga gjobat e deri te referimi për ndjekje penale.
Ligji duhet të japë garanci ligjore për investitorët të cilët do të jenë të interesuar për të ushtruar veprimtari biznesi të lidhura me asetet virtuale. Sipas qeverisë, një nga qëllimet e ligjit është edhe tërheqja e investimeve të huaja.
Projektligji përcakton Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare si institucioni që vlerëson të gjitha aspektet rregullatore dhe përputhshmërinë me kërkesat ligjore, si dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, si enti që vlerëson kriteret dhe kërkesat teknologjike të paraqitura nga subjekti që kërkon të marrë licencë.
Kriptovalutat janë aktive virtuale, tregtimi i të cilave është rritur vrullshëm në vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Autoriteti Europian i Titujve dhe Tregjeve, vitin e kaluar tregu global i aktiveve virtual vlerësohej në rreth 130 miliardë dollarësh amerikanë dhe përfshinte rreth 2 mijë asete të ndryshme.
Sidoqoftë, aktiviteti i kriptomonedhave shtron shumë shqetësime për autoritetet rregullatore, të lidhura me rreziqet e shfrytëzimit për veprimtari të jashtëligjshme, që nga mashtrimi i investitorëve e deri tek pastrimi i parave.
Bankat qendrore deri tani kanë kërkuar shumë kujdes me hapat e ligjërimit të tregtimit të kriptomonedhave, për shkak të sfidave të mëdha që paraqet kontrolli dhe mbikëqyrja e këtyre aseteve.