Kryeministri Edi Rama vazhdon të habisë me protagonizmin e tij në 360 gradë, teksa njoftoi pasditen e të enjtes një shtyrje të mëtejshme të kredive bankare.
Me një status në Facebook (ku tjetër?) Rama tha se, në bashkëpunim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, kanë firmosur një shtyrje të mëtejshme të kësteve të kredive me tre muaj të tjerë, deri në 31 gusht.
Rama njoftoi gjithashtu se Banka e Shqipërisë do të shtyjë ndryshimet e përkohshme rregullatore të miratuara në muajin mars deri në fund të vitit 2020, me qëllim mbështetjen e procesit të risturkturimit të kredive.
Urdhërat e Ramës dhe Guvernatorit Sejko për shtyrjen e kësteve të kredive, në fakt, nuk kanë as një bazë të qartë ligjore, megjithëse deri tani bankat kanë preferuar të mos i kundërshtojnë. As Guvernatori dhe as Kryeministri nuk kanë të drejtë të urdhërojnë bankat të shtyjnë pagesat e kësteve të kredisë.
Urdhëri i parë e bëri shtyrjen e kësteve për të gjithë huamarrësit fakt të kryer, megjithëse në fakt, jo të gjitha kreditë u shtynë që nga mesi i marsit e deri sot. Sipas Guvernatorit Sejko, deri në mesin e muajit maj, bankat kishin shtyrë rreth dy miliardë euro portofol kredie.
Vetëm nga shtyrja e parë, sistemi financiar pati një kosto të vlerësuar prej rreth 30 milionë eurosh të paarkëtuara. Shtyrja e mëtejshme, me tre muaj të tjerë, rrezikon të krijojë një problem likuiditeti për sistemin financiar.
Nëse bankat edhe mund ta përballojnë edhe një shtyrje tjetër me tre muaj, institucionet financiare jo banka do të rrezikonin një krizë të mirëfilltë likuiditeti. Këto institucione kanë më pak kapitale të tyre dhe për më tepër nuk disponojnë shumë likuiditete të tepërta, për të përballuar edhe një tremujor tjetër pa arkëtuar këstet e kredive.
Tani pritet që Banka e Shqipërisë të japë më shumë detaje rreth kësaj shtyrjeje të re. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ishte shprehur se mund të mbështetej një shtyrje e re e kredive, por vetëm për sektorët që mund të kenë pësuar një goditje serioze nga kriza.
Deklarata e sotme e kryeministrit e bën sërish moratoriumin e mëtejshëm të kredive fakt të kryer, çka mund të vendosë në rrezik serioz stabilitetin e sistemit financiar.