As mbyllja e ekonomisë dhe as perspektivat e zymta nga Covid-19 nuk e kanë frenuar shumë hovin për të ndërtuar në Shqipëri. Të dhënat nga Instat tregojnë se në tremujorin e dytë, që përfaqësoi edhe pikun e goditjes së pandemisë, në Shqipëri u dhanë 209 leje ndërtimit, në rritje 14% krahasuar me tremujorin e parë.
Megjithatë, kjo rritje duket se përfshin edhe akumulimin e kërkesës për leje, pas ngërçit që u krijua në vijim të tërmetit të 26 nëntorit. Në qarqet e prekura dhënia e lejeve të reja u pezullua përkohësisht, duke bërë që disa aplikime në proces të shtyheshin në kohë.
Rritja krahasuar me tremujorin e parë ka ardhur kryesisht nga rritja e numrit të lejeve jashtë qarkut të Tiranës. Në Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Shkodër, Lezhë dhe Dibër numri i lejeve është rritur krahasuar me tremujorin e parë.
Ndërkohë, qarku i Tiranës ka regjistruar sërish një rënie të lejeve me 25% krahasuar me tremujorin e parë. Pavarësisht kësaj, Tirana vazhdon të dominojë numrin e përgjithshëm të lejeve të ndërtimit, me 30% të totalit.
Ndonëse lejet e ndërtimit regjistruan rritjen e parë me bazë krahasimi tremujore prej një viti, numri i tyre ngelet në rënie krahasuar me vitin e kaluar.
Krahasuar me tremujorin e dytë 2019, numri i lejeve të ndërtimit ra me 38%, ndërsa të dhënat progresive tregojnë se për 6-mujorin numri i tyre është në rënie me 33%.Rënia ka prekur si ndërtimet rezidenciale, ashtu edhe ato për qëllime biznesi.
Instat llogarit se vlera e investimit në ndërtime të reja dhe punime inxhinierike për tremujorin e dytë pothuajse është përgjysmuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo do të sjellë edhe një kontribut më të ulët të sektorit të ndërtimit në prodhimin kombëtar të vendit. Sipas projeksioneve të Bankës së Shqipërisë, tremujori i dytë do të shënojë pikun e goditjes së krizës në ekonomi, ndërsa më tej situata pritet të përmirësohet gradualisht.