13 Qershor

0 komente

“Larje hesapesh” në Digitalb: Vjollca Hoxha bllokon pagesat, Armand Duka heq të drejtën televizive të Superligës.

Autor Ersuin Shehu

13 Qershor, 2020

kryesore

Paqja mes dy klaneve të aksionerëve në Digitalb nuk ka zgjatur shumë. Prej javësh të gjitha pagesat e kompanisë janë bllokuar, përfshi pagat e punonjësve; ndërkohë të shtunën Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) njoftoi se i ka hequr kompanisë të drejtat televizive të transmetimit të kampionatit shqiptar të futbollit, për shkak të mosshlyerjes së pagesave prej më shumë se një viti.

Sipas FSHF-së, ky vendim vjen si pasojë e neglizhencës kontraktore nga ana e subjektit të licencuar për zbatimin e kushteve të dakordësuara në kontratë dhe ezaurimit të të gjithë hapave të nevojshme ligjore.

“Pavarësisht sa më sipër, duke mos dashur “black-out”-in e aktivitetit futbollistik FSHF ka propozuar më datë 04.06.2020 një skedul pagesash për të amortizuar borxhin duke vendosur një afat të arsyeshëm për pagimin e tyre. Me kalimin e këtij afati dhe në mungesë të një përgjigje zyrtare, FSHF njofton me keqardhje se është e detyruar të pezullojë transmetimin për “Digitalb”. Pa paragjykuar hapat e nevojshëm ligjor, ky ndalim i transmetimit do të vijojë deri në përmbushjen e detyrimeve kontraktore. FSHF dëshiron të nënvizojë se borxhi i akumuluar është i konsiderueshëm dhe se në kushtet kur këto janë të ardhura të drejtpërdrejta të klubeve anëtare, të cilat privohen padrejtësisht prej tyre, aq më shumë në situatën e vështire ekonomike të shkaktuar nga përhapja e COVID-19. Sakaq, krahas përpjekjeve për kapërcimin e kësaj situate, FSHF ka marrë përsipër kostot për transmetimin e ndeshjeve në faqen e saj zyrtare në internet ëëë.fshf.org pa pagesë,” thuhet në njoftimin e FSHF.

Megjithatë, problemi është më i komplikuar se kaq. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është pjesë e grupit të aksionerëve në betejë për kontrollin e kompanisë me familjen e themeluesit, Dritan Hoxha. Në fillim të këtij viti, palët ranë dakord për një armëpushim, sipas të cilit Vjollca Hoxha pranoi të largohej nga drejtimi i Digitalb dhe kompania do të drejtohej nga dy administrator, një për secilin klan. Të gjitha veprimet në emër të kompanisë mund të bëhen vetëm me firmën e të dy administratorëve.

Palët kanë rënë dakord që Digitalb të menaxhohet nga këta dy administratorë, deri në muajin gusht, kur do të vendoset një administrator i ri. Por, së fundmi, mosmarrëveshjet kanë shpërthyer sërish.

Administratorja e klanit anti-Hoxha, Eglantina Lamaj (njeri i besuar i Aleksandër Frangajt), ka refuzuar të firmosë pagesat e reklamave të Digitalb në Top Channel. Si kundërpërgjigje, Vjollca Hoxha ka urdhëruar përfaqësuesin e saj Redi Lamaj, të mos firmosë asnjë pagesë tjetër, përfshi pagat e punonjësve.

Në këto kushte, duket se kompania ka hyrë në kolaps. Familja e Vjollca Hoxhës ngelet aksioner kryesor në digitalb, me 43% të aksioneve, por tashmë nuk zotëron më kuotat për të vendosur e vetme. Aksionerët e tjerë (Armand dhe Agron Duka, Edmond dhe Niko Leka, Petraq Shomo, Arben Taipi, Aleksandër Frangaj, Samir Mane), së bashku, zotërojnë shumicën e aksioneve dhe duket se janë grupuar me qëllimin për ta hequr Digitalb nga duart e Vjollca Hoxhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Reklamë


Të tjera me interes